Aksidenti tragjik në Manzë, mësuesit e 15-vjeçarit me dedikim prekës për të riun (FOTO)

Vendi u trondit mëngjesin sotëm, pas një aksidenti të ndodhur në Manzë të Durrësit, ku humbën jetën 3 persona.

Mes viktimave ishte edhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Shkolla ku ai kryente studimet ka bërë një dedikim prekës për të miturin, duke shkruar se ikja e tij e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh, ndërsa shpreh ngushëllime ndaj familjarëve për këtë tragjedi.

“Me hidhërim të thellë e zemër të thyer mësuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të nxënësit tonë të dashur Alvi Muhaxhiri.
Ikja e tij kaq e shpejtë la një boshllëk të madh në bankat e shkollës sonë dhe në zemrat e të gjithë mësuesve e shokëve të tij.
Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Zoti ju dhëntë forcë për të përballuar këtë dhimbje të papërshkrueshme.
Kujtimi dhe buzëqeshja e tij do të mbeten përherë të gjalla në shkollën tonë. U prehtë në paqe shpirti yt Alvi!”, thuhet në reagim.
Në aksidentin tragjik humbën jetën edhe çifti i sapomartuar, Kleo Vrioni dhe partnerja e tij italiane Sara Brugentelli. Të plagosur mbetën Rejsi Vrijoni, 25 vjeç, dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç.


