Aksident i rëndë në Lezhë, mjeti përfundoi në kanal, humbin jetën babë e bijë

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje në Lezhë ku një makinë është gjetur e përmbysur në kanal, në rrethana ende të panjohura.
Mësohet se viktimë kanë mbetur babë e bijë, dhe sipas burimeve dyshohet se aksidenti ka ndodhur që në orët e pasdites.
Kanë qenë familjarët të cilët kanë kërkuar për të afërmit e tyre, kur vetëm pak kohë më parë gjatë patrullimit ka qenë një patrullë policie e cila ka konstatuar makinën e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe dy viktimat e pajeta.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave.
Njoftimi i policise:
Lezhë / Informacion paraprak
Rreth orës 21:45 të datës 25.04.2026, në Komisariatin e Policisë Lezhë është paraqitur djali i shtetasit A. K., i cili ka kallëzuar se ka humbur kontaktet me babain dhe me motrën e tij, të cilët ishin nisur për në punë me automjetin e tyre.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle për gjetjen e tyre.
Në fshatin Gocaj, në afërsi të fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore, u gjet automjeti i tyre në një kanal me ujë.
Pas nxjerrjes së automjetit nga uji, rezultoi se në automjet ndodheshin pa shenja jete shtetasit A. K., 54 vjeç, dhe B. K., 20 vjeçe (babë e bijë).
Paraprakisht dyshohet se automjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij nga ana e drejtueses së automjetit, shtetases B. K.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e shkakut të daljes nga rruga të automjetit dhe për dokumentimin e plotë ligjor.


