A do të rrisë konkurrencën transparenca e çmimeve?

Aktualitet

A do të rrisë konkurrencën transparenca e çmimeve?

Ministrja e ekonomisë shprehu bindjen se më shumë transparencë do të krijojë presion për tregtarët që të jenë më të drejtë në çmimet që ofrojnë për konsumatorin.

Por ekspertët dhe biznesi e shohin këtë nismë “Pasqyra e çmimeve” me skepticizëm. Lindita Milo, ish-kryetare e Autoritetit të Konkurrencës në një intervistë për emisionin “E-ZONE” tha se kjo platformë do të ketë sukses nëse tregu funksionon në konkurrencë.

“Në fakt, tregu shqiptar është një treg i vogël dhe në tregjet e vogla ka prirje që numri i kompanive të jetë relativisht i vogël. Kjo bën që çmimet të jenë statike, nuk janë të ndryshueshme, çka do të thotë që niveli i konkurrencës në vend nuk është në nivelin që duhet të jetë. Por strukturat përqendruara të tregut dhe vetë strukturat oligopol të tregut, padashur shkaktojnë edhe ato që quhen efektet jo konkurruese në treg. Pra numri i vogël i kompanive ka prirje për të patur marrëveshje apo ndjekje të njëra-tjetrës sa i përket çmimeve që ofrojnë, dhe për rrjedhojë vendi gjeneron vlera të ulëta të produkteve të cilat prodhohen apo transferohen nga tregjet e tjera. Ky është problemi kryesor. Platforma që po prezantohet është  një ide pozitive, por ajo do të ketë sukses nëse tregu funksionon mbi baza të rregullta konkurrencë, si dhe mbi të gjitha nëse funksionojnë të gjitha hallkat përbërëse të çmimit dhe monitorimit të tregut“, – tha Milo.

Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi është e mendimit se vetëm publikimi i çmimeve nga supermarketet do të jetë një presion i shtuar që do të ketë ndikim pozitiv.

“Ky është një presion psikologjik në të cilin do të ndihen pronarët e supermarketeve në vend. E shoh pozitivisht si nismë, pasi përfitues do të jenë edhe fermerët. Në finale do të kuptojmë se kush abuzon më shumë, pse rritet kaq shumë çmimi nga prodhimi deri në shitjen fundore apo nga zhdoganimi deri në supermarketet. Ky informacion nëse do të publikohet siç duhet për të gjitha hallkat në këtë fazë të parë do të jetë i vlefshëm”, – tha Radonshiqi.

Një nga situatat që ngre pikëpyetje për tregje jo elastike dhe jo konkurruese është rasti i zhvlerësimit të euros. Prej vitesh euro po humbet  pikë në raport me lekun, por importuesit nuk kanë reflektuar ulje çmimesh në treg.

“Mos prisni që çdo pikë e zhvlerësimit të euros të reflektohet në çmimin final. Kostot e importit janë një element i përbërjes së çmimit. Ne kemi kosto të shtuara për punonjësit, për transportin, për lëndën e parë, etj. Të gjitha këto kanë bërë që efekti në finale i çmimeve të mos jetë i ndjeshëm si pasojë e zhvlerësimit të euros. Por një ekonomi bazohet në prodhimin vendas. Vetëm prodhimi në vend mund të amortizojë çmimet”, – sqaroi Theodhori Kristuli nga Unioni Tregtar Agro-Ushqimor.

Çmimet që paguajnë shqiptarët janë sot ndër më të shtrenjtat në rajon dhe më gjerë. Kjo bën që në shpenzimet mujore të familjeve, ushqimet zënë gati gjysmën  e të ardhurave, një element ky i cili vë në vështirësi standardin e jetesës për mijëra familje.

ME TE LEXUARAT