60 pasuri të paluajtshme, 89 automjete dhe…/ SPAK goditi grupin e lidhur me Jetmir Pepën, sekuestrohen pasuri

SPAK ka goditur një grup të dyshuar kriminal të lidhur me Jetmir Pepën, duke sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro.
Sipas njoftimit, në fokus të hetimeve është edhe shoqëria “Pepa Group”, për të cilën dyshohet se janë përdorur struktura biznesi për fshehjen dhe qarkullimin e të ardhurave të paligjshme.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar:
60 pasuri të paluajtshme (toka, apartamente, hotele dhe troje në disa qytete të vendit)
89 automjete të llojeve të ndryshme
72 llogari bankare të personave fizikë dhe juridikë të dyshuar ose të lidhur me hetimin
Pasuritë janë të shpërndara në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.
Nga 11 masa sigurie të dhëna nga GJKKO janë ekzekutuar vetëm tre dhe në pranga kanë rënë ditën e sotme, 15 prill, shtetasit Lulzim Pepa, Florian Marku dhe Anton Kola.
Lulzim Pepa është i vëllai i Jetmir Pepës, i cili akuzohet si kreu i grupit kriminal. Jetmir Pepa është një emër i njohur për blutë, pasi në janar 2025 u shpall në kërkim pasi qëlloi me armë në një koncert festiv të organizuar ‘Cinco Cavalli’ në Parkun Olimpik të Tiranës.
SEKUESTRIMET (në vlerën 12 milionë euro)
Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”, sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.
Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.
Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.
Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.
89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).
72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.
Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.


