5 shtator 2026, shënohen 10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, figura shqiptare që frymëzoi botën

Aktualitet

5 shtator 2026, shënohen 10 vite nga shenjtërimi i Nënë
Sot shënohen 10 vite nga një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e figurës së Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.

Më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku drejtoi Meshën e Shenjtërimit të murgeshës shqiptare, duke e shpallur atë Shën Tereza e Kalkutës. Ceremonia u zhvillua në kuadër të Jubileut të Mëshirës dhe mblodhi mbi 120 mijë besimtarë nga e gjithë bota, mes tyre edhe shumë shqiptarë.

Një ditë më pas, më 5 shtator, u zhvillua ceremonia e regjistrimit të saj në Kalendarin e Përgjithshëm Romak. Data përkon edhe me ditën e vdekjes së Nënë Terezës, më 5 shtator 1997.

Procesi i shenjtërimit u bazua në njohjen e dy mrekullive të atribuuara ndërmjetësimit të saj pas vdekjes. Përpara shenjtërimit, Nënë Tereza ishte lumturuar nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003, pas njohjes së mrekullisë së parë.

E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, Nënë Tereza iu përkushtua jetës fetare që në moshë të re dhe në vitin 1929 nisi misionin e saj në Indi. Në vitin 1950 themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë, e cila u shndërrua në një prej organizatave më të njohura të shërbimit ndaj njerëzve në nevojë në mbarë botën.

Në vitin 1979, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Nënë Tereza kërkoi që paratë e çmimit të përdoreshin për të ndihmuar të varfrit.

Figura e saj mbetet e lidhur ngushtë edhe me Shqipërinë. Pas rënies së komunizmit, Nënë Tereza vizitoi vendin e origjinës së familjes së saj dhe hapi shtëpi të Misionareve të Bamirësisë, duke nisur një mision që vijon edhe sot.

Arkivi fotografik i Agjencisë Telegrafike Shqiptare ruan disa prej momenteve më të veçanta të këtyre vizitave. Në fotografi dokumentohen mbërritja e saj në aeroportin e Rinasit, takimet me fëmijë e besimtarë, vizitat në institucione fetare dhe hapja e shtëpisë së bamirësisë në Tiranë.

Nënë Tereza kishte vizituar Shqipërinë edhe në vitin 1989, ndërsa në vitin 1993 u takua me Papa Gjon Palin II gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.

Në nder të saj, 5 shtatori është shpallur edhe Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në Shqipëri, kjo datë zëvendësoi 19 shtatorin, Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, si festë zyrtare.

Dhjetë vite pas shenjtërimit, Nënë Tereza vijon të mbetet një prej figurave shqiptare më të njohura në botë dhe një simbol i përkushtimit, mëshirës dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.

Ajo u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion