1600 policë dhe gardh metalik rreth Parlamentit/ Çfarë pritet nesër? Protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim

Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike ka shënuar mbrëmjen e sotme ditën e saj të 100-të.
Ndërkohë, ditën e nesërme me nisjen e sesionit të ri parlamentar, protestuesit kanë paralajmëruar përshkallëzim, ndërsa kanë deklaruar se nuk do t’i lejojnë deputetët të hyjnë në seancë dhe se do t’i godasin ata me vezë dhe miell, pasi sipas protestuesve, ata nuk i përfaqësojnë më.
Sakaq, në prag të protestës së nesërme para Parlamentit, Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie.
Rreth Parlamentit pritet të angazhohen 1600 efektivë policie dhe të vendoset gardh metalik.
Ndërkohë, studentja Laura Kërtalli paralajmëroi përshkallëzim të protestave gjatë vjeshtës.
“Sot parashikohet një protestë paqësore sepse është dita e 100-të, por në ditët në vijim është kërkesë e vet popullit që të ketë përshkallëzim.
Presim një vjeshtë plot me përshkallëzime dhe plot me qëndresa kundrejt mbledhjeve parlamentare, sepse pika e dobët e këtij regjimi është te Parlamenti”, tha aktivistja.


