Avionët ushtarakë serbë po fluturojnë mbi Preshevë, çfarë paralajmërojnë?
Serbia ka nisur stërvitjen ajrore në jug të vendit. Manovrat ajrore nisën të hënën, ndërsa pak ditë më parë Ministria serbe e Mbrojtjes e kishte paralajmëruar një gjë të tillë ku u shpreh se do të zgjasin për 4 ditë.
Manovrat zhvillohen në Nish dhe rajone të tjera jugore, përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, ku jetpjnë shqiptarët. Sipas ministrisë serbe, stërvitjet ishin planifikuar kohë më parë dhe nuk lidhen me tensionet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit.
Mirëpo njoftimi është publikuar në një moment kur autoritetet serbe, ato kosovare dhe ndërkombëtare i druhen një përshkallëzimi të tensioneve në veri të Kosovës për shkak të skadimit të afatit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe.
Frika nga përshkallëzimi i tensioneve detyroi forcat e KFOR-it të shtojnë praninë në veri të Kosovës. Prej 4 gushtit, forcat e NATO-s morën kontrollin pranë liqenit të Gazivodës në kufirin Kosovë-Serbi. Sakaq, përfaqësuesit e KFOR thanë se bëhet fjalë për vetëm për një stërvitje të planifikuar kohë më parë.
