Gjykata i jep 35 vite burg burrit që hodhi gruan nga ballkoni, shpëtoi mirë nga dënimi i përjetshëm
Ferdinand Rukon, i cili hodhi gruan nga dritarja e tualetit në Fier, disa muaj më parë është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm.
Ruko ka pranuar rrethanat lehtësuese të avokatit mbrojtës dhe merr 35 vite burg nga burgimi i shkurtuar.
Ngjarja:
Një qytetare e quajtur Liljana Ruko, ka humbur jetën në mënyrë tragjike. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Fierit, ku 42-vjeçarja ka rënë nga kati i katërt i një pallati në lagjen “Kryengritja”.
Policia ka shoqëruar si të dyshuar bashkëshortin e saj, Ferdinand Ruko. Një prej fqinjëve të çiftit që sapo është kthyer nga Gjermania pretendon se kemi të bëjmë me vrasje.
Sipas fqinjës, ajo e ka parë të gjithë ngjarjen dhe thotë se, Ferdinandi e ka shtyrë bashkëshorten nga dritarja e banjës së apartamentit ku jetonin.
Ngjarja ka ardhur pas një sherri, mëson “Panorama”, dhe pas zënkës bashkëshorti ka tentuar ta çojë peshë dhe ta hedhë nga dritarja. Pavarësisht përpjekjes së dëshpëruar të gruas për t’u mbajtur, Ruko e ka shtyrë me të gjithë forcën duke e hedhur në tokë.
“E pamë me sytë tonë kur burri e hodhi nga dritarja e banjës. Dëgjuam të bërtitura dhe pastaj pashë që ai e ngritit peshë dhe e hodhi Liljanën. Ishte e tmerrshme. Ne e gjetëm të zhveshur dhe me trupin e lagur poshtë pallatit, siç duket sapo kishte dalë nga dushi”, thotë fqinja e çiftit, raporton “Shqiptarja.com”.
E pyetur nëse mes çiftit ka pasur probleme të mëparshme, fqinja thotë se ishin një familje e përkryer. “Ishin çift dhe familje e përkryer, nuk kishim dëgjuar për probleme më para mes tyre”, u shpreh ajo.