Rama fut Majkon në Qeveri, ekzekutivi i ri me dy ministri më pak, ja emrat e ministrave të rinj

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kabinetin e ardhshëm qeveritar, me të cilin do të drejtojë vendin në mandatin e tij të dytë pas fitores së zgjedhjeve të 25 Qershorit. Nuk mungojnë risitë. Numri i ministrive reduktohet në 11 nga 16 të tilla që janë aktualisht. Gjysma anëtarëve të ekzekutivit të ri do të jenë gra, duke nisur që nga zëvendëskryeministrja Senida Mesi, deputete e Shkodrës. Për herë të parë parashikohen dy Ministra Shteti, me kompetenca të reja, njëri për Diasporën dhe tjetri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, detyra që do të mbulohen respektivisht nga Pandeli Majko, një nga emrat e njohur, ish kryeministër dhe ish ministër në qeveritë e mëparshme socialiste të fundviteve ’90 dhe fillim viteve 2000, dhe Sonila Qato, aktualisht drejtoreshë e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Emri i katërt i ri në kabinet është ai i ministrit të Drejtësisë, Etilda Gjonaj, aktualisht zëvendësministre e këtij dikasteri.

Në krye të Diplomacisë është rikonfirmuar Ditmir Bushati, të cilit do t’i duhet të drejtojë dhe procesin e integrimit europian, i mbuluar deri më tani nga një ministri më vete, që do të shkrihet. Në krye të ministrisë së Brendshme rikthehet Fatmir Xhafa, i cili la gjurmë në drejtimin e këtij dikasteri, ndonëse për një periudhë të shkurtër në pranverën e këtij viti. Ndryshim pëson Mbrojtja, ku zonja Mimi Kodheli zëvendësohet nga një tjetër grua, Olta Xhaçka. Në krye të ministrisë së Energjitikës mbetet Damian Gjiknuri. Këtij dikasteri i shtohet dhe Infrastruktura. Arben Ahmetaj kthehet në krye të Financave por duke marrë këtë herë dhe Ekonominë. Ndërsa në drejtimin e Shëndetësisë do të jetë sërish Ogerta Manastirliu, e cila në kabinetin e mëparshëm kishte zëvendësuar Ilir Beqen. Zonja Mirela Kumbaro mbetet në krye të Kulturës, ashtu si dhe Lindita Nikolla së cilës përveç Arsimit dhe Sporteve i shtohet dhe Rinia. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i është besuar ish zvëndëskryeministrit Niko Peleshi, ndërsa zoti Blendi Klosi rikthehet në qeveri në krye të një ministrie të re, asaj të Turizmit dhe Mjedisit.ZA

ME TE LEXUARAT