“Furtunë” në Drejtësi, shkarkohen edhe pesë drejtorë burgjesh

Aktualitet

Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi shkarkoi dhe kallëzoi në Prokurori 8 zyrtarë të lartë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit. Ata akuzohen për përfshirje në fushatë zgjedhore të një subjekti zgjedhor në kundërshtim me ligjin.

Drejtorët e burgjeve të shkarkuar

-Drejtori i IEVP Fier, Jetnor Krakulli,

-Drejtori i IEVP Lezhë Eduart Kurti

-Drejtori i IEVP Rrogozhinë, Ahmet Bala.

-Drejtori i IEVP “Jordan Misja” (nr.313) z. Fatjon Fana

-Drejtori i IEVP Burrel z. Fatjon Kurti

Regjistruesi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të shkarkuar

-Regjistruesi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive Durrës, Ani Dyrmishi

-Regjistruesi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive Sarandë Adriana Shehu

Shkarkohet dhe kryetari i Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor Durrës z. Surin Hoxha.

“Shkarkimi, erdhi pas verifikimeve dhe inspektimeve të kryera nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e këtyre zyrtarëve, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin, si dhe neglizhencë e theksuar në kryerjen e detyrave”

“Ministri i Drejtësisë z.Bardhi, sipas rastit, i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se zyrtarët e lartëpërmendur, kanë kryer veprën penale të parashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë

Po ashtu, Ministri i Drejtësisë kërkon pezullimin nga detyra të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha

“Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil, dhe të pezullojë nga detyra, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha, e cila ushtron funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin, që nga data 29 Prill 2017, për shkak se është kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë. Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë z. Bardhi ka informuar zyrtarisht Kryeministrin dhe është në pritje të ndërhyrjes së tij për zbatimin e plotë të ligjit”

Në njoftimin për shtyp Bardhi u kërkon ndihmë qytetarëve të denoncojnë raste të tilla të abuzimit të detyrës në kohë fushate.

Ministria e Drejtësisë gjen edhe njëherë rastin të inkurajojë çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve.

Njoftimi mbyllet duke deklaruar se ministri i Drejtësië Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

ME TE LEXUARAT