Dy nënkryetarët e PD caktojnë datën e zgjedhjeve për kryetarin e ri
Më 22 korrik do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të PD. Vendimi është marrë nga nënkryetarët Edmond Spaho dhe Edi Paloka.
Kryetari me kompetenca të ngrira, Lulzim Basha, ka hyrë në zyrat e tij rreth orës 11:30 minuta, ndërkohë pak me herët në selinë blu, ishte edhe deputeti Eduard Selami, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar.
Selami është takuar me grupin që po përgatit procesin zgjedhor për kreun e selisë blu, ndërsa në dalje dha ketë deklaratë.
"Në 17:30 do të kemi një konferencë shtypi këtu në selinë e PD, në katin e dytë, ku do ti ndaj të gjitha këto. Nuk u takova me Bashën por me grupin e punës dhe me aktivistë atje që shprehin shqetësimet. Por ju siguroj që do të dalim shumë më të fortë dhe shumë më të mirë nga ky proces i shëndetshëm, i natyrshëm demokratik", tha Selami.
Një prononcim më të plotë për angazhimin dhe sfidën e tij, Selami e njoftoi për në orën 17:30, ku ka thirrur një komunikim me mediat në selinë e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike publikoi urdhrin për hapjen e procesit zgjedhor. Dokumenti që mban firmën e dy nënkryetarëve, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, si ditë zgjedhjesh përcakton datën 22 korrik.
Kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike duhet të paraqesin kerkesën deri në datën 2 korrik.