Denoncimi/ ‘’Socialistët po ndajnë para për zgjedhje’’
Në Shkodër, banorët e Bushatit kanë akuzuar dhe denoncuar PS për ndarje selektive të parave të dëmshpërblimeve për efekt të fushatës zgjedhore.
Reagim pati edhe nga Dega e Partisë Demokratike në Vaun e Dejës që kërkoi që rastet të hetohen nga prokuroria.
Banorët e zonave të përmbytura në Shkodër thonë për “Ora” se nuk do të ndalen në protestat e tyre derisa të marrin dëmshpërblimin për dëmet e mëdha që kanë pësuar.
Pas banorëve të Nënshkodrës, të radhës që reaguan ishin banorët e Rranxave në njësinë administrative Bushat, të cilët akuzojnë drejtpërdrejt përfaqësues të partisë Socialiste se po ndajnë para përpara zgjedhjeve.
Ata shprehen se këto raste janë lehtësisht të evidentueshme dhe po ndodhin në të gjithë zonën, prandaj i bëjnë thirrje qeverisë të ndërhyjë.
Të tilla denoncime janë bërë edhe nga Partia Demokratike e Vau të Dejës, përmes një komunikate për shtyp, ku i është kërkuar edhe prokurorisë të nisë hetimet.