Raporti tronditës për drogën, ministri Demiraj nis përgatitjen e super-aksionit antikanabis
Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj thotë se është i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Duke marrë shkas nga gjetjet e Raportit Vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së sotme nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA). Në këtë raport Shqipëria përmendet në veçanti për rritjen e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të narkotikëve në Europë.
“Ministri Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si Drejtorin e Shërbimit Informativ, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni.
Kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë” thuhet në njoftimin e ministrisë.