Shkatërrohet banda e shpërndarësve shqiptarë të drogës në Bolzano, ja kush ishte shefi
Ishte prej kohësh nën mbikqyrjen e policisë italiane për një disa shkelje ligjore. Por kjo nuk e pengonte 24-vjeçarin shqiptar Fatmir Muhaj të drejtonte një grup kriminal të shpërndarjes së drogës. Policia italiane e arrestoi të martën në Bolzano sëbashku me 12 narkotrafikantë të tjerë.
Mes të arrestuarve janë edhe 6 shqiptarë të tjerë. Banda që ai drejtonte ishte nën hetim prej mëse një viti për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike si kokainë, marjuanë e hashash. Aktivitetin e kryenin në Bolzano, ku kishin edhe dy pika kryesore të shpërndarjes së drogës, një apartament dhe një dyqan indian.
Drogën e shpërndanin kryesisht pranë shkollave. Muhajn e quanin "Bosi". Siç bëjnë të ditur mediat italiane, nëpër qeli ai kishte hyrë e kishte dalë disa herë për vepra të ndryshme penale. Por nën mbikqyrje ishte vënë prej prillit të 2016-ës, kur autoritetet vendosën ti ndalonin hyrjen në territorin e rajonit autonom të veriut të Italisë, Alto-Adixhe.
Vendimin e morën pasi policia e kishte kapur pa patentë, duke drejtuar automjetin në shkelje të rregullave të qarkullimit. Por kjo nuk e kishte penguar shqiptarin të vijonte të ushtronte aktivitetin kriminal. Mediat italiane shkruajnë se tashmë, ai pritet të mos i shpëtojë më dënimit me burg.