Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zbulon "Lazaratin e dytë"
Ministri i Brendshem Fatmir Xhafaj ka zgjedhur Shkodrën, një prej qarqeve problematike për kultivimin e bimeve narkotike për të dhënë garancinë se Shqipëria nga ky vit nuk do të figurojë më në listën e vendeve me kanabis. Fatmir Xhafaj tha se lufta ndaj kriminalitetit dhe drogës do të jetë një proçes i vazhdueshëm, por nga policia po bëhet gjithçka që që të jetë efiçente.
"Shqipëria për vitin 2017 nuk do të figurojë më në hartën e kultivimit të kanabisit. Fiksojeni këtë gjë. Dhe do të jemi prap këtu në Shkodër. Natyrisht lufta kundër trafikut të drogës dhe kundër kriminalitetit është një proces që vazhdon dhe do të vazhdojë gjatë. Është një përballje mes ligjit dhe anti-ligjit, mes Policisë dhe shkelësve të ligjit", tha ministri.
Për herë të parë ai ka komentuar edhe levizjet në policinë e shtetit, që sipas tij bëhen për t’i dhënë punës një ritëm të ri, pasi siç tha zona të Shkodres sot, janë Lazarati i djeshëm i kanabisit.
"Çdo lloj rifreskimi, çdo lloj lëvizjeje, bën mirë për t’i dhënë ritëm të ri punës, ritëm të ri çështjeve e prioriteteve. Në kohë të ndryshme ka prioritete të ndryshme. Dhe natyrisht Kanabisi është një prioritet. Dhe në Shkodër, për hir të së vërtetës, është një prioritet i rëndësishëm për shkak se, në vite, zona të caktuara mund t’i konsideroj edhe si Lazarati me kanabisin", theksoi Xhafaj.
Lidhur me zgjedhjet e 18 qershorit, Xhafaj garantoi mbarëvajtjen e këtij proçesi, sipas kushtetutës. "Zgjedhjet e 18 Qershorit janë absolutisht të garantuara, sepse zgjedhjet në përgjithësi i garanton Kushtetuta dhe ligji. Dhe Policia është në funksion të respektimit dhe garantimit të Kushtetutës e të Ligjit. Dhe Policia vetëm bën detyrën që i ngarkon ligji", ka bere me dije ministri.
Ai zhvilloi edhe një takim me dyer të mbyllura me drejtues të policisë së Shkodres ku fokus ishte kanabisi dhe zgjedhjet