Gazsjellësi TAP, puna nis në fillim të verës
Shqipëria është vendi i parë, në të cilin TAP do të nisë punimet, në fillim të verës së këtij viti, me përmirësimin dhe ndërtimin e rrugëve të kalimit dhe urave. Në total, TAP do të ndërtojë dhe do të përmirësojë rreth 110 km rrugë, po ashtu do të rikonstruktojë 50 ura ekzistuese dhe do të ndërtojë 2 ura të reja. Menaxheri i gazsjellësit TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, pohon në një intervistë për revistën “Monitor”, se punimet e tubacionit do të prekin rreth 11,000 parcela. Kontratat e para me pronarët e tokave u nënshkruan në fillim të këtij muaji dhe procesi vazhdon progresin. Një numër shumë i lartë marrëveshjesh paraprake janë tashmë të firmosura prej pronarëve. Bozdo shpjegoi se, ndërtimi i rrugëve dhe urave është në fazat përfundimtare të tenderimit, i cili po kryhet sipas legjislacionit të BE për prokurimet. Investimi i pritshëm në infrastrukturën rrugore që nis këtë vit vlerësohet nga 40 deri në 70 milionë euro.