Harito: Reforma në Administratën Publike me rëndësi të veçantë për integrimin
Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito, ne vijim të turit në qytetet kryesore të vendit mbi reformën e adminstratës publike, u ndal sot në qytetin e Vlorës. Ministrja Harito bashkëbisedoi me studentët e Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” dhe Universitetit privat “Pavarësia” mbi rëndësinë e kësaj reforme themelore të ndërmarrë nga qeveria shqiptare.
Gjatë vizitës së saj në të dy universitetet Znj. Harito theksoi në fjalën e saj se: Standardi i reformës në administratën publike është tashmë një realitet i pakthyeshëm drejt rrugës së integrimit të vendit në BE dhe mbi këto standarde do të vijojë edhe procesi i rekrutimit të këtij viti.
Ministrja Harito u ndal në rëndësinë që ka konkursi në orientimin e të rinjve drejt tregut të punës si dhe njohjen me mundësitë që u ofrohen për të perparuar në karrierën e tyre.
Reforma udhëhiqet nga standardet e meritokracisë me qëllim depolitizimin e administratës dhe rritjen e nivelit profesional të nëpunësve të saj.
Znj. Harito u ndal në procesin e rekrutimit ku i shpjegoi studentëve etapat e këtij procesi të rëndësishmë duke shpjeguar se: “procesi i rekrutimit nis me aplikimin vetëm online për vendet vakante që do të shpalli departamenti i administratës publike dhe kandidatët i nënshtrohen testit me shkrim i cili është i sekretuar dhe anonim. Më pas procesi vijon, për ata kandidatë që kalojnë fazën e testimit me shkrim, në intervistën me gojë. Fituesit përzgjedhin më pas mes vendeve vakante bazuar në pikët totale që kanë marrë”.
Aktiviteti në Universitetin “Ismail Qemali” u organizua nisur nga iniciativa e Z. Fate Velaj, Këshllitar i Kryeministrit Z. Edi Rama, në formën e një simpoziumi me temë “Xenos – puna dhe jeta në diversitet” ku pjesëmarrës të tjerë ishin edhe Ambasadori Austirak Z. Mag. Thomas Schnöll dhe Konsulli i Përgjthshëm i Italisë në Vlorë, Z. Stefano Bergesio.
Simpoziumi kishte si qëllim bashkëbisedimin me studentët mbi ndikimin e diversitetit shoqëror në zhvillimin personal dhe profesional.
Në këtë kontekst, Ministrja Harito foli mbi eksperiencën e saj të gjatë profesionale në Francë dhe shpalosi qasjen e reformës në Administratën Publike si një nga prioritetet e qeverisë për integrimin evropian të vendit.
Ministrja Harito bisedoi me studentë dhe pedagogë për ndryshimet e e rëndësishme që sjell reforma në Administratën Publike dhe inkurajoi studentët të aplikojnë në konkurset që do të shpallen së shpejti nga Departamenti i Administratës Publike.