Fitorja e Trumpit dhe evropianët gojëhapur - cfarë ndryshon për Ballkanin dhe Europën?!

Trending

Fitorja e Trumpit dhe evropianët gojëhapur - cfarë ndryshon

Shumë evropianë janë zgjuar sot gojëhapur dhe disa besa edhe pa gjumë, duke fërkurar sytë sepse kanë besuar, më mirë të them shpresuar, se Kamala Harris mund të fitojë në Amerikë. Por jo: Donald Trump fitoi përfundimisht zgjedhjet dhe ate bindshëm.

Ndërkohë Trumpin e kanë uruar edhe gjermanët që tradicionalisht në raste të këtilla janë më të kujdesshëm, pastaj Macroni, NATO, e të mos flasim për djathtistët gjithandej që po e fesojnë fitoren e tij me shpresë se do të përtifojnë edhe ata. Edhe në Gjermani ka parti që thonë se asaj i duhet një Trump, por kjo është një çështje tjetër.

Para zgjedhjeve janë përhapur edhe shumë teori konspirative kundër Trumpit, sepse shumëkush ka pasur dhe ka frikë nga politika e tij ndonjëherë e vrazhdtë dhe e papërllogaritshme. Trumpi shpesh i thotë gjërat copë, dhe kjo nuk u pëlqen disa të tjerëve.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por fakt është që ai ka fituar, fakt është që NATO, Ukraina, Kina, Lindja e Mesme, Evropa, Gjermania e besa edhe disa vende të rajonit tonë, do të përballen me një realitet të ri - që ndoshta nuk u pëqen.

Gjermania mund të përballet me pengesa të reja ekonomike për eksportet e saja. Unë nuk mendoj që aleanca NATO është e rrezikuar, por evropianët duhet të paguajnë obligimet e tyre ndaj NATO-s, në qoftë se duan mbrojtjen e plotë të kësaj aleance.

Ukraina me siguri që nuk do të ketë mbështetjen sikur deri tani nga Uashingtoni, por edhe Putini duhet të ketë më shumë kujdes. Ndaj mund të pritet ndonjë lëvizje serioze drejt ndonjë zgjidhje që me siguri nuk është tërësisht në favorin e Ukrainës. Kina dhe Lindja e Mesme po ashtu do të jenë në epiqendër të politikës së tij.

Sa i përket Ballkanit dhe Kosovës, pavarësisht gëzimeve të Serbisë, nuk e besoj që adminstrata amerikane, Trumpi dhe Grenelli, si personi kryesor i tij për Ballkan, do të heqin dorë nga populli i Kosovës dhe nga mbështetja e këtij vendi. Por qeveria e Kosovës, kjo apo ndonjë tjetër, mund të përballet me kërkesa të reja.

Natyrisht që akoma është tepër heret të flitet për këto kërkesa dhe të jepen vlerësime përfundimtare, por shikuar nga momenti i tanishëm, është shumë e qartë që disa parti dhe në veçanti disa persona në Kosovë nuk do të kenë mbështetjen e plotë të Trumpit dhe në veçanti të Grenellit (nëse ai merr ndonjë pozitë të rëndësishme në adminsitratë, siç pritet)!

A do të kenë këto zgjedhje ndonjë ndikim edhe në disa procese të tjera, siç është për shembull dialogu, raportet e Kosovës me Serbinë, Asociacioni, Gjykata e Hagës, pastaj zhvillimet në Shqipëri e Serbi... mendoj se është pak si tepër heret të flitet. Por me siguri që administrata e re amerikane shumë shpejt pas marrjes së pushtetit, e ndoshta edhe më parë, do të pozicionhet shumë qartë, të paktën për disa prej tyre.

Shkruan: Bahri Cani, gazetar DW

Titulli origjinal: Fitorja e Trumpit dhe evropianët gojëhapur - por jo vetëm evropianët

ME TE LEXUARAT