Zbulohet taverna sumeriane 4500-vjeçare e pajisur me frigorifer!
Mbetjet e një taverne sumeriane 4500-vjeçare kanë dalë në dritë në Irakun jugor, ku dikur qëndronte qytet-shteti i fuqishëm prej 400 hektarësh i Lagashit.
Gërmimet e përbashkëta të universiteteve të Pizës dhe Filadelfias, të bashkëdrejtuara nga arkeologët Sara Pizzimenti dhe Holly Pittman, janë fokusuar në strukturat popullore që pasqyrojnë jetën e përditshme dhe jo në ndërtesat fetare dhe të pushtetit.
Në dy fushatat e fundit të gërmimeve, arkeologët punuan në një zonë banimi, 600 metra larg mureve dhe në njërën nga portat juglindore të qytetit.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Ne gjetëm një mjedis ku disa dhjetëra darkues mund të pinin dhe hanin”, shpjegon arkeologia Sara Pizzimenti për Focus.it .
“Është një kuzhinë pjesërisht e hapur, një magazinë ushqimore dhe një oborr me banak tullash për klientët. Përveç kësaj, ka dhoma të shumta ngrënieje. Është një tavernë e madhe ku për momentin ka dalë në dritë vetëm një pjesë e saj, 150 metra katrorë oborr dhe 200 struktura të brendshme.
U gjetën rreth 100 pjata nga të cilat disa ishin “gati” me mbetjet e mishit të deles së zier, peshkut të pjekur ose supë. Janë gjetje të çmuara, ende duke u ekzaminuar në laborator, të cilat do të shërbejnë për të kuptuar më mirë dietën e sumerëve.
“Gatimet që gjetëm ishin duke u servirur.
Ato mbetën të tilla, të përgatitura për t’u shërbyer, për shkak të një shembjeje që i bëri të braktisin vendin. Nuk e dimë se çfarë e ka shkaktuar fundosjen, por mund të përjashtojmë një sulm ushtarak, duke qenë se në lagje nuk ka shenja që mund ta sugjerojnë atë”, nënvizon studiuesja italiane.
Ndër gjetjet spikat një frigorifer i lashtë, i përbërë nga dy qypa, një më i vogël që mund të përmbante ushqim ose pije, brenda një më të madhi. Në hapësirën ndërmjet dy amforave vendosej rërë ose argjilë e lagësht për të izoluar pjesën e jashtme, ndërsa uji thithte nxehtësinë duke avulluar.
Sipas llogaritjeve të studiuesve dhe shembujve të “frigoriferëve me konsum zero” të ngjashëm ende në përdorim në Lindjen e Afërt, uji duhej të derdhej në hapësirën e brendshme disa herë në ditë për të kompensuar avullimin.
Në restorantin sumerian në Lagash, perimet e freskëta mund të garantoheshin për 20 ditë. “Brenda ftohësit gjetëm dy gota, një shenjë se aty ishte ruajtur ndonjë lëng, ndoshta birrë”, shpjegon Pizzimenti.
Edhe mes sumerëve, bujtina duhej të ishte një pikë takimi ku shoqëroheshin dhe njiheshin në atë kohë njerëzit e zakonshëm dhe mësonin lajmet. Lagashi ishte në kontakt tregtar me Magan (Oman) dhe me Dilmun (Bahrein). Dinastia e Lagashit, me mbretin Eannatum rreth 2450 para Krishtit, kishte kontroll mbi qytete të tjera të rëndësishme sumeriane, si Kish, Uruk, Ur dhe Larsa.
Për më tepër, Lagashi ishte jo shumë larg bregut, ku ishte një tjetër pikë qendrore e qytet-shtetit, porti i Guabba, i njohur nga burimet letrare, por i pa gjetur ende nga arkeologët.
Bujtina të ngjashme duhet të kenë qenë aq të rëndësishme në jetën e përditshme të sumerëve, sa që në poemën e famshme të Gilgameshit shfaqet figura e një hanxhiu, i cili në kopshtin e perëndive ofron heroin sumer, të dëshpëruar për vdekjen e mikut të tij Enkidu./a2 cnn