Vrasja në Linzë, gjykata: Nuk u filmua, ekzekutimi i Enton Nikës, jo me paramendim

Aktualitet

vrasja-muragaGjykata e Tiranës zbardhi arsyetimin e vendimit që “zhveshi” nga akuza e “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim katër persona të dyshuar për vrasjen e Enton Nikajt në 11 nëntor të vitit 2015 në zonën e Linzës.

Ndryshe nga pretendimi i prokurorisë, që kërkoi dënime me nga 25, 28 dhe 35 vjet heqje lirie, 116 vjet në total për këta të pandehur, gjykata vlerësoi se vrasja e Nikajt është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim prej tyre.

Në vendimin e shpallur në 4 maj, gjykata arsyeton se në ngjarje është konsumuar vepra penale e “vrasjes me dashje” vetëm nga ana e të pandehurit Emiljano Tasho. Tre të pandehurit Ervis Martinaj, Bujar Hasani dhe Mirsad Kuçana, që ishin bashkë me Tashon në momentin e krimit, sipas gjykatës, duhet të përgjigjeshin për “moskallëzim krimi”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

enton-nika_1-474x324

“Gjykata arrin në përfundimin se vepra penale e vrasjes së shtetasit Enton Nika më 11.11.2015 është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim nga të pandehurit Emiljano Tasho, Bujar Hasani, Ervis Martinaj e Mirsad Kuçana. Vrasja e shtetasit Enton Nika është kryer nga i pandehuri Emiljano Tasho, si pasojë e eksesit të këtij të pandehuri, gjatë kohës kur ai së bashku me të pandehurit e tjerë po godisnin me grushta, shkelma e sende të forta të ndjerin Enton Nika dhe shtetasin Ismet Gaxheri”, arsyetohej në vendim.

KONFLIKTI

Konflikti ku u vra Enton Nika ndodhi në parkingun e lokalit “M...” në Linzë. Të pandehurit kanë drekuar në këtë lokal dhe në momentin e largimit kanë parë Nikën dhe pronarin e lokalit, Ismet Gaxherri. Referuar deklarimeve të të pandehurve, gjykata prentedon se Ervis Martinaj ka vënë re shtetasin Enton Nika që po shihte nga ata, duke folur nëpër dhëmbë, që i është dukur si sharje të pandehurit Ervis.

“Ai i është drejtuar të ndjerit Enton Nika duke i thënë ‘o çuni hajde një sekondë’. Pasi janë afruar, i pandehuri Ervis i ka hedhur dorën në qafë të ndjerit Enton duke i thënë: ‘A më njeh mua, unë jam Ervis Martinaj’. Entoni i ka thënë ‘qofsh me shëndet, unë jam Enton Nikaj dhe më largo pak atë dorën nga supi se ta këpus’”, rrefehej nisja e konfliktit në vendim. Më tej të pandehurit janë përfshirë në konflikt fizik me ta, ku në një moment i pandehuri Emiljano Tasho ka qëlluar me një armë pistoletë, sipas tij nga pakujdesia, drejt Enton Nikës, duke e lënë të vdekur.

NDRYSHIMI I AKUZES

Në vendimin e shpallur nga një treshe e kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha dhe anëtarë Besnik Hoxha dhe Lazër Sallaku, 40 faqe në total, arsyetohej se në veprimet e kryera nga të pandehurit në vendin e ngjarjes mungonin tërësisht elementët e paramendimit dhe të bashkëpunimit. Sipas gjykatës, nuk rezultoi e provuar që të pandehurit të kishin një shkak apo motiv.

Gjykata shprehej se rezultonte e paprovuar që të pandehurit të kishin vënë në jetë një plan kriminal ku kishin përcaktuar më imtësi kohën, vendin, mënyrën si dhe gjetjen e mjeteve per realizimin e vrasjes së shtetasit Enton Nika. “Përkundrazi, ka dyshime të forta se ngjarja ishte e çastit pasi, shtetasi Enton Nika kishte sharë nëpër dhëmbë katër të pandehurit që sapo largoheshin me makinë”, arsyetonte gjykata.

Pas ndryshimit të cilësimit të akuzave gjykata përfundimisht dënoi të pandehurin Emiljano Tasho me 16 vjet burg për “vrasje me dashje”, “prodhim armësh e municioni” dhe “vjedhje me dhunë”. Të pandehurit Ervis Martinaj, Mirsad Kuccana e Bujar Hasani u dënuan me nga 1 vit e 4 muaj burg për “moskallëzim krimi”, ndërsa i pandehuri Erjon Biracci me 2 vjet burg për “përkrahje të autorit të krimit”./panorama

ME TE LEXUARAT