Reforma e pensioneve, Veliaj: Është koha për të luftuar punën në të zezë

Aktualitet

veliMinistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, u takua dje me të rinj të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë në Durrë dhe Kavajë, në kuadër të 23 vjetorit të themelimit të FRESSH-it dhe zgjedhjeve të ardhshme lokale. Në fjalën e tij, z. Veliaj preku dy çështje kryesore, reformën e pensioneve që ka nisur të zbatohet nga 1 janari 2015 dhe projektligjin e hapjes së dosjeve të ish sigurimit.

Ministri Veliaj tha se kemi pasur një skemë pensionesh plotësisht të falimentuar, e cila po i linte njerëzit me pensione qesharake dhe se reforma e re sjell pensione më të larta për të gjithë. Sipas tij, nëse dikush punon në të zezë pa deklaruar të plota sigurimet shoqërore, nesër do të mbetet me një pension me të cilin s’do të mbyllë dot as muajin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Skandali më i madh qe kemi zbuluar muajt e fundit ka të bëjë me qeverisjen gjatë 8 viteve të kaluara dhe qëndron në faktin se njerëzit punonin për shtetin dhe shteti nuk u ka paguar as sigurimet shoqërore. Pra, imagjinoni pak: edhe shteti shqiptar punonte në të zezë. Kur shteti punon në të zezë dhe ua mban nga rroga punonjësve përqindjen e sigurimeve shoqërore, pastaj i bën rrush e kumbulla dhe njerëzit rrezikojnë të mbesin pa pensione, kjo është skandaloze. Kjo është arsyeja pse unë besoj se ne të majtët dimë t’i administrojmë më mirë qytetet dhe shtetin tonë”, deklaroi z. Veliaj.

Nga ana tjetër, ministri Veliaj tha se gjenerata e të rinjve sot ka misionin për të bërë transparencë lidhur me të shkuarën komuniste të vendit dhe hapjen e dosjeve të ish sigurimit.

“Sot është e paimagjinueshme se si partia që e quan veten parti të djathtë dhe antikomuniste është kundër hapjes së dosjeve. Ne të rinjtë e Shqipërisë kemi misionin për ta bërë këtë transparencë, nëse duam që kombi ynë të jetë një komb i cili maturohet dhe reflekton për të kaluarën që këto të mos ndodhin më në të ardhmen. Një komb pa kujtesë dhe që nuk bën transparencë mbi atë që ka ndodhur, i përsërit gabimet e veta”, tha ai.

ME TE LEXUARAT