Shoqëria civile letër të hapur për Federica Mogherini

Kosovë&Rajon

PRISHTINAPërfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës kanë vendosur t’i dërgojnë letër të hapur përfaqësuese së Lartë të Bashkimit Evropian, Fererica Mogherini lidhur mbi procesin e liberalizimit të vizave.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

E nderuara Përfaqësuese e Lartë, Të nderuar Komisioner,

Komisioni Evropian e ka nisur dialogun rreth vizave me Kosovën në janar të vitit 2012, dhe ia ka dhënë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizim të vizave në qershor të vitit 2012. Bazuar në përvojën e pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat ndërmorën rrugëtim të njëjtë, të gjithë shpresuam se Kosova do t'ia dalë t'i përmbushë kërkesat më së largu brenda tri viteve. Sot, Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka të drejtë të udhëtojë pa viza. Çka është edhe më shqetësuese: Kosova sot nuk duket më afër realizimit të qëllimit në krahasim me vitin 2012.

Njëri nga problemet më serioze të cilat i kemi identifikuar është se Kosova poashtu nuk trajtohet njëjtë sikur pesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Udhërrëfyesi për Kosovën përmban të gjitha reformat që Kosova duhet t'i përmbushë në mënyrë që të kualifikohet për udhëtim pa viza. Në qershor të vitit 2014 Komisioni Evropian ka nxjerrë një raport lidhur me progresin e Kosovës. Megjithatë, është për t’u habitur dhe shqetësuar që ky raport është më ndryshe sesa raportet lidhur me progresin rreth vizave që fqinjët ballkanikë të Kosovës i pranuan gjatë viteve 2008-2010. Ai është gjithashtu ndryshe nga raporti për Turqinë i nxjerrë në vitin 2014.

Në rastin e Ballkanit Perëndimor, Komisioni ka pasur formulime shumë të përpikta për ta definuar progresin apo mungesën e tij në secilën pikë të përfshirë në udhërrëfyes. Në tetor të vitit 2014 për Turqinë, Komisioni përdori pesë formulime të përpikta për ta definuar progresin në secilën pikë: "Kërkesa u plotësua", "Gati u plotësua", "U plotësua pjesërisht, por me shanse të mira për progres të mëtejmë", "Vetëm pjesërisht u plotësua"; "kërkesa nuk u plotësua." Në raportin për Kosovën nuk gjendet diskutimi për secilën pikë. Nuk ka përshkrim të përpiktë të progresit. Gjuha është e paqartë. Nuk janë të qarta fushat prioritare.

Ne ju apelojmë që të siguroheni që Komisioni Evropian të përdorë formulime të përpikta për të përshkruar progresin ose mungesën e tij për secilën pikë të përfshirë në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave në raportin tuaj të radhës. Kur Bashkimi Evropian përdorë kritere të drejta, të qarta e transparente të vlerësimit, ne jemi në pozitë të ushtrojmë presion tek qeveria që të punojë më shumë.

Mungesa e gjuhës së qartë shërben si një pengesë që qeveria t'i përmbushë kriteret, duke e parandaluar shoqërinë civile ta mbajë qeverinë përgjegjëse.

Bashkimi Evropian ka dëshmuar se mund të veprojë si katalizator për të ndërmarrë reforma të vështira. Ju apelojmë që të jeni po aq të drejtë kur bëhet fjalë për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës sa ishit edhe kur bëhej fjalë për fqinjët tanë dhe Turqinë sot.

Sinqerisht,

Luan Shllaku, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur KFOS

Venera Hajrullahu, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile KCSF

Lumir Abdixhiku, Instituti Riinvest

Fisnik Korenica, Grupi për Studime Juridike dhe Politike GLPS

Lulzim Peci, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave KIPRED

Ismet Kryeziu, Instituti Demokratik i Kosovës KDI

Florian Qehaja, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë KCSS

Lorik Bajrami, OJQ Cohu

Petrit Zogaj, Lëvizja FOL

Alban Haliti, Initiativa për Progres INPO

Florent Mehmeti, Teatri ODA

Hajrullah Çeku, OJQ EC Ma Ndryshe

ME TE LEXUARAT