Vrasja në Dajt, ja si e kërcënoi Ervis Martinaj shefin e repartit "Shqiponja"

Aktualitet

ervis-martinaj2015Ervis Martinaj, i dyshuari kryesor i policisë për vrasjen e 30 –vjeçarit Enton Nikaj pasditen e së mërkurës në Linzë, konsiderohet nga policia e shtetit si një prej personave më të rrezikshëm.

Emri i tij figuron në dosjet e disa prej vrasjeve më të bujshme të dy viteve të fundit. Por agresiviteti i tij ka arritur deri në kërcënimin me vrasje të një oficeri të lartë të policisë së shtetit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Më 20 tetor të vitit 2013, në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, kundër lojërave të paligjshme të fatit, Ervis Martinaj kërcënon shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj, se do ta vrasë.

Sapo reparti “Shqiponja” dhe komisariati numër 3 i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe 25 makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt ai e merr në telefon shefin e këtij reparti, komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kërcënon se do ta eliminojë.

Komisari Avdulaj ka bërë kallëzim penal për këtë rast. Ai e ka denoncuar Ervis Martinaj për kanosje me jetë për shkak të detyrës në komisariatin numër 2.

Ky komisariat i ka referuar materialet në Prokurori, ndërsa komisar Avdulaj, i cili aktualisht mban detyrën e shefit të Komisariatit të Malësisë së Madhe, ka lëvizur me shërbime të përforcuara.

Prokuroria i ka nisur hetimet për këtë rast dhe policia ka ushtruar me dhjetëra kontrolle në Fushë Kuqe, Laç e Tiranë në përpjekje për ta arrestuar, por pa mundur të bjerë në gjurmët e Ervis Martinajt.

Tri ditë pas këtij kërcënimi, mbrëmjen e 23 tetorit të vitit 2013, Ervis Martinaj kërkohet nga policia si i dyshuar për një vrasje, atë të Elvis Doçit, biznesmenit 35 –vjeçar të lojërave të fatit që u vra në Komunën e Parisit, në makinën e tij.

Policia ngriti dyshime se eliminimi i Doçit kishte lidhje me shitjen e disa lojërave të fatit, një operacion të cilin dyshohet se ishte i përfshirë Ervis Martinaj.

33 –vjeçari i lindur në Burrel dhe banues në Laç e ka emrin në dosjet e policisë dhe Prokurorisë edhe për vrasjen e bujshme të bankierit Artan Santo, më 26 qershor të vitit 2014.

Dyshohet se motori me dy personat që ekzekutuan biznesmenin u fsheh në magazinën e tij në Fushë Kuqe, aty ku policia humbi gjurmët e tij.

Në të njëjtën magazinë u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që mbanin vrasësit e Santos.klan

ME TE LEXUARAT