Totozani: Problem mbipopullimi në burgje

Aktualitet

totozaniInstitucioni i Avokatit të Popullit, përmes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit Çnjerëzor dhe Poshtërues, që vepron si strukturë e veçantë nën autoritetin e tij, ka vëzhguar rregullisht, me anë të inspektimeve periodike dhe ad-hoc, respektimin e të drejtave dhe të standardeve që u ofrohen personave të privuar nga liria, si dhe ka ngritur në vijimësi shqetësimin lidhur me situatën e mbipopullimit në IEVP dhe komisariate. Mbipopullimi nëpër mjediset e sigurisë në njësitë policore si dhe në IEVP-të në vend është një problematikë e pranishme, e prekshme dhe që ka nevojë imediate për t’u adresuar, pasi cenon respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, dëmton cilësinë e shërbimeve të ofruara ndaj kësaj kategorie, dhe krijon premisa për trajtim çnjerëzor dhe degradues. Nga ana tjetër kjo situatë vështirëson edhe punën e punonjësve të këtyre institucioneve.

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, gjatë vitit 2014, në përputhje me të drejtat dhe detyrimet ligjore, ka kryer inspektime në të gjitha institucionet e privimit të ligjshëm të lirisë, përfshirë këtu të gjitha Komisariatet e Policisë dhe Drejtoritë e Policisë në Qarqet nga ku ata kanë varësinë përkatëse (49 njësitë policore) si dhe në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (22) në rang vendi. MKPT ka hartuar rekomandime specifike për secilin institucion, si dhe ka hartuar dy rekomandime të veçanta drejtuar përkatësisht Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Së Shtetit dhe Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve me qëllim marrjen e masave konkrete mbi problematikën shqetësuese e gjithnjë në rritje të mbipopullimit.

Gjendja e mbipopullimit në IEVP

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Mbi kapacitetin zyrtar prej 4537, personash, aktualisht në IEVP mbipopullimi kap shifrën e 1340 persona që flenë përtokë, me dyshekë e në disa raste vetëm me batanije pa dyshekë apo me turne. Të dhënat lidhur me mbipopullimin e ambienteve te Burgjeve dhe Paraburgimeve në Shqipëri gjatë vitit 2014, përveç problemeve të degradimit strukturor të ndërtesave dhe përkeqësimit të shërbimeve ndaj personave të privuar nga liria, ngrenë edhe shqetësimin e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me respektimin e te drejtave të njeriut në një vend demokratik. Privimi i lirisë nëpërmjet dhënies së masës së sigurimit arrest në burg, duhet konsideruar jo si opsioni kryesor, por si masa më e rëndë që jepet vetëm në rastet e parashikuara në nenet 228 dhe 229 të K.Pr. Penale, duke mbajtur parasysh arsyetimin e Gjykatës së Lartë (vendimet 8, datë 19.1.2001 dhe 46, datë 28.1.1999 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë)  ku përcaktohet se: “...për caktimin si masë sigurimi arrest në burg për të pandehurin duhet të ekzistojë një dyshim i bazuar se i pandehuri mund t’i shmanget gjykimit apo ekzekutimit të vendimit, apo se ai ka rrezik të kryejë ndonjë vepër penale tjetër të rëndë apo të të njëjtit lloj me atë për të cilën është proceduar...”si dhe “...Në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret...”.

Rekomandimet për IEVP-të

Të merren masa të menjëhershme për të kufizuar mbipopullimin në IEVP dhe Paraburgime me objektivin që çdo qeli të ofrojë minimalisht 4m2 hapësire jetike për person.

Të merren masa të menjëhershme për adresimin e situatës së mbipopullimit, në respekt të, Nenit 24 të  Ligjit nr. 8328 dt. 16.04.1998 ”Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” i ndryshuar,  ku i sigurohet çdo të dënuari shtrat i veçantë dhe një komplet i përshtatshëm fjetjeje.

Të merren masa të menjëhershme për përgatitjen nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të një propozimi formal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për rritjen e masave të dënimeve alternative jo penitenciare për personat të cilët kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore.

Marrjen e masave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me përpilimin e një strategjie të qartë kundër mbipopullimit të burgjeve, duke bërë një analizë e hollësishme të faktorëve kryesorë që çojnë në mbipopullim të burgjeve me qëllim adresimin çështjeve të tilla si llojet e krimit që dënohen me qëndrim të gjatë në burg, prioritetet e kontrollit të krimit,  si dhe sjelljet dhe shqetësimet e publikut lidhur me praktikat ekzistuese të dënimit.

Gjendja e mbipopullimit në Njësitë Policore

Nga inspektimet e bëra në 21 njësitë policore të cilat kanë në funksion ambiente për mbajtjen e personave të ndaluar dhe të arrestuar, një pjesë e konsiderueshme kanë rezultuar të mbipopulluara, ku Komisariati i Elbasanit, i Lezhës, i Beratit, i Korçës, Komisariati nr. 3, 5 dhe Drejtoria e Qarkut Tiranë, janë qartazi mbi kapacitetin zyrtar.

Gjatë inspektimeve MKPT ka konstatuar edhe raste të personave me masë sigurie, të cilët vijonin të qëndronin në dhomat e sigurisë në Komisariat, në kundërshtim me kuadrin ligjor. Vonesat në transferimin e personave me masë sigurie në paraburgim ndodhin kryesisht për shkak se edhe IEVP-të kanë mbipopullim të tejskajshëm.

Në bazë të regjistrave të inspektuar nga MKPT, rezulton se, në momentin e inspektimit, pjesa më e madhe e personave në dhomat e sigurisë, por edhe ata të transferuar, janë ndaluar/arrestuar për vepra të përfshira rishtazi në Kodin Penal. Rrjedhimisht, një faktor tepër i rëndësishëm për mbipopullimin rezulton të jetë ashpërsimi i politikës penale, i cila nuk është mjeti i vetëm për të fuqizuar rendin publik, e aq më pak shtetin e së drejtës. Tendencat evropiane janë për përfshirjen e dënimeve alternative, veçanërisht kur bëhet fjalë për të miturit.

Rekomandimet për Njësitë Policore

Të merren masa të menjëhershme për respektimin në frymë dhe letër të Kodit të Procedurës Penale, kryesisht Neni 251 dhe neni 255 lidhur me procedurat dhe detyrimet e OPGJ-ve gjatë ndalimit/arrestimit të personave.

Të merren masa të menjëhershme për adresimin e situatës së mbipopullimit, respektimit të Kodit të Procedurës Penale, Nenin 259 të KPP, par. 3, 4, lidhur me afatet sa i takon ndalimit/arrestimit të personave.

Të merren masa për alokimin e fondeve lidhur me rikonstruksionin në përputhje me standardet dhe vënien në funksionim të dhomave të mbyllura të sigurisë.

Të adresohet çështja e dhomave të sigurisë brenda IEVP-ve, si një praktikë jo e mirë, që rëndon situatën e vetë IEVP-ve, por edhe të personave të ndaluar/arrestuar.

ME TE LEXUARAT