Babai i dy motrave Kajtazi: Jemi familje me tradita, s'i lejoja dot vajzat të dilnin pa brekë

Aktualitet

motratPrindërit e Orialdës dhe Klevisës hedhin poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga dy motrat e mitura të larguara nga shtëpia prej datës 16 korrik. Hiqmet dhe Anila Kajtazi shprehen se me deklaratat e tyre vajzat i kanë turpëruar për të dytën herë radhazi, pas largimit nga shtëpia.

Babai, nëna dhe motra e madhe e Orialdës dhe Klevisës hedhin poshtë çdo akuzë të ngritur nga dy vajzat e vogla të familjes, duke pohuar se gjithçka e thënë në videot e shkarkuara në YouTube janë thjesht trillime dhe të pavërteta.

Prindërit kanë mbetur të shokuar për sjelljen e dy vajzave të vogla, sidomos me deklaratat e tyre, të cilat i konsiderojnë trillime dhe justifikime, me qëllim për t’ua hedhur fajin familjarëve për veprat e tyre. Sipas prindërve, në takimin e parë që kanë bërë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit pas gjetjes, vajzat nuk kanë pranuar t’i takojnë me dëshirë, duke u thënë sërish se nuk duan të kenë të bëjnë me pjesën tjetër të familjes.

Hiqmet, a jeni takuar me vajzat pas gjetjes së tyre në Vlorë?

Të premten vonë kemi shkuar së bashku me bashkëshorten, nënën e vajzave, për të takuar Orialdën dhe Klevisën në rajonin e Policisë, këtu në Durrës. Përtej faktit se jemi të turpëruar për sjelljen e vajzave tona, gjetja e tyre ishte një surprizë shumë e bukur për ne, sikurse do të ishte për çdo prind kam përshtypjen. Por në Polici u përballem me refuzimin e vajzave. Ato nuk donin të na takonin fare. Sjellja e tyre ishte shumë e çuditshme. Në vend të ishim ne ata që duhet të mbanin inat, ishin ato.

Folët me Orialdën dhe Klevisën?

Nuk arritëm të shkëmbenim asnjë fjalë, pasi ato nuk pranuan të na takonin. Fillimisht ne nuk i njohëm fare, edhe pse i hasëm në korridorin e godinës, pasi kishin ndryshuar pamje komplet.

Si ishte ndryshimi i tyre në krahasim me kohën para zhdukjes?

Nga çfarë pamë, ato kishin lyer flokët. Nga brune ishin bërë bionde dhe ishin transformuar në fytyrë. Mund të them se ishin dobësuar shumë, saqë nuk arritëm t’i njohim. Vetëm kur u thanë ata të policisë a do i takoni prindërit, kuptuam që ishin vajzat tona.

Orialda dhe Klevisa kanë hedhur në YouTube katër video, ku akuzojnë prindërit për dhunë. Ju i keni parë?

Kjo ishte një tjetër bombë e vajzave, të cilat mesa duket kërkojnë të na degjenerojnë fare si familje. Jam njohur me akuzat që ato kanë ngritur për mua, nënën e tyre dhe motrën e madhe, por ju siguroj se aty nuk ka asgjë të vërtetë.

A keni ushtruar dhunë kundrejt fëmijëve?

Ne jemi një familje që respektojmë traditat. Një familje deri diku konservatore, por kurrë nuk kam qenë diktator për fëmijët e mi dhe bashkëshorten. Edhe nëse u kam tërhequr ndonjëherë vëmendjen, e kam bërë për të mirën e tyre. Atyre mund t’u duket shumë e madhe kjo gjë, por unë pa brekë vajzat nuk mund t’i lejoja të dilnin.

Sipas Klevisës, ka pasur edhe dëshmitarë kur i keni dhunuar ju, Hiqmet. Qëndrojnë këto akuza?

Shiko, vajzat e kanë ekzagjeruar shumë. Unë nuk jam diktator. I kam këshilluar me dhjetëra herë, ndoshta ndonjë pëllëmbë mund t’u kem futur, por kurrë nuk i kam rrahur siç pretendojnë vajzat. Ato kanë thënë se “ishin nxirë nga të rrahurat”. Por kjo nuk është e vërtetë. Vajzat kanë trilluar shumë gjëra madje, na kanë futur me një siklet të madh me të afërmit.

Në fakt, vajzat në video kanë treguar pak a shumë të gjitha bisedat që janë bërë në shtëpi. Çfarë keni për të thënë rreth këtij fakti?

Kanë përmedur thuajse të gjithë fisin. Këta të fundit me të drejtë reaguan duke na kërkuar llogari. U thashë: “Nuk janë të vërteta”. “Gjithçka ato po e bëjnë për të na poshtëruar ne si prindër. Prandaj flasin. Deri sa u larguan nga shtëpia, nuk e kanë problem të trillojnë histori të tilla”, u thashë të afërmve, të cilët ishin të shqetësuar se u bënë pjesë e kësaj historie të hidhur.

Pas gjithë këtyre akuzave, do të vazhdoni t’i mbështesni vajzat në aspektin ligjor?

Ato nuk janë në vete për momentin dhe detyrimisht kanë shumë nevojë për ne si familje. Ne do t’i mbështesim, pavarësisht gjithçkaje. Qoftë nga ana ligjore, ashtu edhe nga ana sociale, ne do t’i mbështesim pa kushte./panorama

ME TE LEXUARAT