Bashkim Kopliku: Ja e vërteta për "planin e Berishës kundër Aleksandër Meksit"

Aktualitet

bashkim-koplikuMë thanë se z. Izet Haxhia më paska përmendur në një shkrim të tij, dhe vendosa të lexoj se çfarë shkruante. Po marr mundimin t’i përgjigjem, kjo në respekt të lexuesit.

Sa shkruan z. Haxhia për mua, është në pjesën më të madhe krejt e pavërtetë dhe shpifje. Në vijim po ndaloj më në hollësi në ato pjesë të shkrimit të zoti Haxhia, të cilat lidhen direkt me emrin tim.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Haxhia shkruan:

Marshalli tentoi […] me anën e mikut të tij, apo më saktë të dhëndrit të mikut te tij, e kam fjalën për Bashkim Koplikun vjehrri i të cilit, një sigurims famkeq ishte mik i ngushtë i Marshallit, që bëri edhe futjen e dhëndrit të tij Kopliku në PD nëpërmjet Berishës në një kohë kur Kopliku nuk kishte asnjë kontribut në PD.

Unë, Kopliku, ju them se e vërteta është si vijon:

E para:Nuk kam asnjë dijeni që z. Berisha të ketë qenë mik i vjehrrit tim, bile nuk e di ta ketë njohur ndopak. Dyshoj se është thjesht një shpifje, sepse vjehri im, i Koplikut është përjashtuar nga Partia Komuniste (PPSH) që në vitin 1974, është dëbuar nga Tirana, dhe pastaj është internuar.

Ai është liruar vetëm me ardhjen e demokracisë. Nëse z. Berisha do të kishte pasur miqësi me të, ky është një kompliment që z.Haxhia i bën z.Berisha që paska mbajtur miqësi me një njeri të dënuar nga regjimi komunist, donte guxim e karakter të fortë, që në kohën e komunizmit, të kishe miqësi me një të dënuar politik.

E dyta:Koplikun nuk e ka futur ne PD z. Berisha, por demokratët e kolektivit të ndërrmarjes ku ai punonte, Uzina e Radio e Televizorëve Durrës (URT). Ishin demokratët e atij kolektivi, të cilët e zgjodhën Koplikun kryetar te seksionit të PD së Uzinës, me një votim të fshehtë, që në shkurt 1991.

Votimi u bë jo vetëm i fshehtë, por dhe me dy kandiatura, e me një pjesëmarrje prej rreth 100 demokratësh të Uzinës.

Pastaj, Kopliku u zgjodh kandidat për deputet i PD Durr`s, në një përzgjedhje me një diskutim të hapur në Konferencën e PD në Durrës.

Pastaj u zgjodh nga populli deputet, ne mars 1991; u emruar edhe kryetar i Bashkisë (ateherë Komiteti Ekzekutiv Pluralist Durrës), në korrik 1991; pati një aktivitet shumë të spikatur si deputet në Parlamentin e parë jokomunist të Shqipërisë; u rizgjodh deputet në mars të vitit 1992 etj.

Pas gjithë këtij kontributi, u emërua zevendëskryeministër e ministër i punëve të Brendshme, në prill 1992.

E treta: Kontributi i Koplikut në PD, vërtetë që fillon nga shkurti i viti 1991, dhe jo dy muaj përpara, në dhjetor 1991, kur u krijua PD.

Kjo “vonesë“ prej dy muajsh, vjen si pasojë se Kopliku hezitonte në bashkimin e tij me PD, sepse konstatonte se një pjesë e madhe e elementëve të PD-se së “dhjetorit 1990“, ishin njerëz me lidhje shumë të ngushta me regjimin komunist shqiptar, gjë që e bënte të dyshonte për qëllimet reale të kësaj partie.

Ishin punonjësit e Uzines (URT), jo vetëm demokratët, të cilët i kërkuan me ngulm Koplikut, kryeinxhinierit që ata sapo kishin zgjedhur vetëm para disa muajsh, të futej në PD, që “mos t’u lihej në dorë PD-ja ca maskarenjve“, siç kishin merak ata.

Sqaroj se Kopliku ishte dënuar që nga inxhinier të punonte punëtor, po në këtë uzine, vetëm disa vjet përpara, kur nuk pranoi të ndante gruan e tij, sepse i jati i saj u dënua politikisht nga komunizmi. Ishte po ky kolektiv, që e zgjodhi kryeinxhinier ne vitin 1990, kur komunizmi, në grahmat e fundit të jetës së tij, vendosi të eksperimentonte zgjedhjen e kryeinxhinierëve nga kolektivi.

Haxhia shkruan:

Kopliku propozoi veten e tij për kandidat për kryeministër, kuptohet me porosi të Marshallit, i cili kur dëgjoi këtë vetëpropozim bëri sikur u ‘mërzit! edhe pse ishte vetë pas kësaj ,sepse po të donte mund ta ndalonte një votim të tillë. […] Meksi kishte fituar bindshëm ndaj Koplikut të cilit ju dha nga Marshalli posti i Ministrit të Brendshëm, […]…Por Kopliku nuk ishte i kënaqur me këtë post, donte atë të kryeministrit dhe ranë dakord me Marshallin që ai të mbante këtë post të ministrit të Brendshëm vetëm për gjashtë muaj,dhe pastaj Kopliku do bëhej kryeministër.

Unë, Kopliku, ju them se e vërteta është si vijon:

E para: Ka pasur një votim në Këshillin Kombëtar të PD, për të përcaktuar se kush do të ishte kryeministër. Por ky votim nuk ishte parashikuar nga organizatorët e Këshillit.

Votimi u detyrua nga anëtarët e Këshillit, që protestuan që të mos bëhesh votim vetëm me një kandidaturë, atë të Meksit, siç i ishte paraqitur Këshillit. Kërkesa në princip ishte demokratike dhe në përputhje me statutin e PD.

Për votimin edhe të kandidaturës së Koplikut, propozimi erdhi nga një anëtar i Këshillit, dhe u miratua nga shumë anëtar të tij, saqë drejtuesit e mbledhjes u detyruan ta votojnë. Nuk ishte fare Kopliku që “propozoi veten“ siç shkruan z. Haxhia—Kopliku i përmbahej vendimit të Kryesisë së PD, që kishte paraqitur propozimet në Këshill.

Edhe vetë Koplikut i erdhi fare i papritur ky propozim nga salla, pra nga Këshill. Nga ana tjetër, z.Berisha jo vetëm “u mërzit“, por ai protestoi rëndë kundër këtij propozmi, duke pretenduar, por edhe duke orientuar dhe influencuar anëtarët e Këshillit, që mos të zgjidhej Kopliku, sepse “po të zgjidhej Kopliku kryeministër, i gjithë drejtimi i shteti do të bëhej nga njerëz nga Veriu“; i thoshte se president ishte z. Berisha (nga Tropoja), se kryetar i Kuvendit ishte z. Arbnori (nga Shkodra) të cilëve do t’u shtohej edhe Kopliku (që sipas z. Berisha ishte nga Shkodra).

Në atë kohë, 1992, akoma nuk ishte instaluar diktatura në PD, dhe nuk e kishte në dorë të mos e respektonete kërkesën e Këshillit, as z. Berisha. Megjithatë, z. Berisha arriti që të pranohet që të bëhet votimi më antidemokratik i kohëve moderne: u votua duke thirrur emrin e çdo votuesi, dhe duke regjistruar votën e tij, që duhet të ishte shkoqur e me zë të lartë përkatësisht “Meksi“ ose “Kopliku“.

Në këtë votim, është shënuar vota e Koplikut, që ishte “Meksi“, dhe vota e z. Meksit, që ishte “Meksi“. Pra Kopliku ka votuar kundër vetes së vet. Votimi përfundoj në favor të favoritit të z. Berisha, z. Meksi, ku për Koplikun gjithsesi votuan rreth 12% e anëtarëve të Këshillit, pra me gjithëse votimi ishte i hapur dhe nominal, me gjithë orientimin e udhëheqësit, z. Berisha, për mos të votuar për Koplikun.

E dyta: Vërtetë që Kopliku nuk e donte postin e ministrit të Brendshëm, vërtetë që kishte kërkuar që të rrinte në këtë post vetëm “gjashtë muaj“, kjo me që eksperienca dhe vokacioni i tij nuk ishte për t’u marrë me policinë. Por jo që pastaj “të bëhej kryeministër“, siç shkruan z. Haxhia.

Dëshira e Koplikut, por edhe premtimi që iu dha atij nga kryesia e Partisë, kur anëtarët e kryesisë insistuan të pranonte postin e ministrit të Brendshëm, ishte që ai të kalonte më vonë në një post që merrej me problemet ekonomike, me të cilat kishte dëshirë të kontribuonte dhe ku kishte 24 vjet eksperiencë.

Haxhia shkruan:

… vjen në presidencë Kopliku, takohet me Marshallin […] Ka komunikuar njëherë nga tel. i shtëpisë së Mehmetit dhe pas kësaj telefonate me Koplikun është ngritur i mërzitur për t’u larguar nga shtëpia e Mehmetit.

Lajmi i shumëpritur për rrëzimin e avionit që mbante Meksin nuk kishte ardhur […], duke shpëtuar jetën e Meksit dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit shqiptarë, dhe duke shuar ëndrrat e Koplikut për t’u bërë kryeministër.

Unë, Kopliku, ju them se e vërteta është si vijon:

E para: Vërtetë që Kopliku, në atë periudhë, deri sa ishte në fuqi “ligji themeltar“ (që zëvendësonte Kushtetutën e vendit), thirrej shpesh nga Presidenti, z. Berisha, ditën dhe natën, sepse me ligj presidenti e kishte të drejtën të thirrte në raport ministrat.

Por në asnjë moment, as z. Berisha, por as dhe Kopliku, nuk kishin ndër mend të vrisnim njeri, as kryeministrtin dhe as ministra, siç shkruan z. Haxhia, e siç fatkeqësisht po rishkruhet në masmedia shqiptare. Diskutimet tona me z. Berisha, ishin të përqendruara në qeverisjen sa më efikase të vendit.

E dyta: Me të vërtetë që Kopliku dhe z. Meksi kishin mendime të ndryshme për zgjidhjen e shumë problemeve të qeverisjes së vendit.

Por këto ishin qëndrime të dy personave që të dy mendonin sesi të shkonte puna sa më mirë, paçka se mënyrat e zgjidhjeve të secilit, shpesh nuk përputheshin, çka dhe është krejt normale në demokraci. Gjithsesi, kjo mospërputhje qe shkaku kryesor që bëri që dhe Kopliku të hiqesh nga Qeveria, më 1 janar 1995.

Në mbyllje

Në ndryshim me shumë kolegë të tjerë, kam dhënë përgjigje publike, kur është gënjyer e shpifur publikisht ndaj meje, si në këtë rastin me z. Haxhia. Bile shpesh edhe kur është shpifur për të tjerë, e jo vetëm për mua.

Shumë njerëz më kanë këshilluar të mos humb kohë me shpifësit, por unë kam vendosur ta humb këtë kohë, në respekt të lexuesit, në repekt të popullit tim që e dua, me gjithë se ka të metën e madhe: i pëlqen shpesh të dëgjojë shpifje e gënjeshtra.

Jam përpjekur disa herë që për shërimin e kësaj sëmundje të shoqërisë shqiptare, tolerimin e shpifjes dhe gënjeshtrës. Përpjekja ka konsistuar në shkrimet e mia, por edhe duke iu drejtuar drejtësisë, që shpifësit të dënohen, siç do ta dëshiroja ta bëja edhe kësaj here, kundër z. Haxhia.

Por shoqëria jonë shqiptare nuk ka qenë deri tani në gjendje të krijojë një shtet të së drejtës, ku sistemi i Drejtësisë të ishte pushteti më pak i korruptuar, e as të krijojë së paku një opinion mbarëpopullor mbytës kundër shpifjes dhe përkrahësve të saj.

Le të shpresojmë se populli ynë do të shkëputet nga kultura e shpifjes dhe gënjeshtrës, duke përvetësuar me kohë kulturën e së vërtetës dhe të së drejtës. Elita reale e popullit tonë ka rastin të kontribuojë, së paku duke dëshmuar ato që di, edhe kur bëhet fjalë si tani, thjesht për shpifjet e z. Haxhia.

ME TE LEXUARAT