Bundestagu paralajmëron: Mos luani me integritetin e Gjykatës Kushtetuese nëse doni çeljen e negociatave

Politikë
Bundestagu paralajmëron: Mos luani me integritetin e Gjykatës

“Mos luani me integritetin e Gjykatës Kushtetuese nëse doni çeljen e negociatave”. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Kryekëshilltari për Politikën e Jashtme në CDU-CSU, Hans-Joachim Falenski, pjesë e Bundestagut gjerman. Mesazhi në fjalë erdhi pasi presidenti Ilir Meta i akordoi Falenskit titullin“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Gjatë fjalës së tij Falenski tha se një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues, ndërsa shtoi se të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme.

“Është një nder i madh të marr këtë medalje të rëndësishme si këshilltar politik në një vend të huaj. Kjo dekoratë më dorëzohet këtu në Shqipëri – vendi i huaj që është më afër zemrës time për shkak të njerëzve të mrekullueshëm që kam takuar këtu, me të cilët kam folur dhe me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Në të njëjtën kohë, zoti President, ju po më jepni gjithashtu detyrën e madhe të vazhdoj punën time në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE, në mënyrë që vendi juaj të plotësojë kushtet për hapjen e fazës dhe kapitujve të parë të negociatave për zgjerimit. Por, kjo kërkon më shumë sundim të ligjit, por edhe më shumë, për shembull, liri të mediave. Jemi të shqetësuar edhe për lirinë e mediave, e cila me miratimin e paketës së re po bën hapa prapa dhe duke krijuar një precedent shqetësues mbi përpjekjen për të neutralizuar zërat e medias. Bundestag-u po ndjek gjithashtu diskutimet për një paketë të re ligjesh që janë diskutuar gjerësisht këtu dhe disa dekrete të Presidentit që i konsiderojnë këto ligje si jokushtetuese. Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme të krijoni një sistem funksionues të kontrolleve dhe ekuilibrave këtu në vendin tuaj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kjo është ideja dhe bindja politike pas 9 kushteve të Bundestag-ut. Ne shpresojmë që tashmë gjërat të jenë në rrugën e përmirësimit të situatës. Ju e dini që ne po vendosim dy parakushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare.

E para është: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun. Çështja nuk është vetëm nëse plotësohet numri i mjaftueshëm. Shumë më e rëndësishme është nëse kjo është bërë në përputhje të plotë me papërjashtim çdo parashikimi të kushtetutës suaj dhe të mos jetë i njëanshëm. Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi kushtetutën. Nëse nenet përkatëse të kushtetutës nuk respektohen plotësisht në këtë moment të rëndësishëm të një fillimi të ri, si mund të besojmë se puna e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese do të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën? Parakushti i dytë është siç tashmë ju e dini: duhet të adaptohet një reformë zgjedhore. Ligji i ri duhet të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e ODIHR.

Dhe reforma e re duhet të sigurojë që financimi i partive politike dhe fushatave elektorale të jetë transparente. Ne e mirëpresim shumë faktin që procesi i hartimit tashmë zhvillohet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës që përfshin të gjitha forcat politike. Kjo u kërkua nga Bundestag-u bazuar në rekomandimet e raportit të ODIHR të shtatorit të vitit të kaluar. Ne shpresojmë që kjo të jetë një shenjë e mirë që për të gjitha palët e ardhmja e vendit të jetë përparësi kryesore dhe jo një përllogaritje për përfitime politike.”, tha ai.

Mes të tjerash zyrtari gjerman shtoi se: Në fund është e rëndësishme për ne që të kemi vullnetin politik këtu të të gjitha palëve për të gjetur një marrëveshje siç kërkohet nga Bundestag-u dhe për të vënë në zbatim plotësisht reformën e re ashtu siç edhe ka për qëllim. Siç shprehet ODHIR: vullneti politik është çelësi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Me lejen tuaj, zoti President, unë dëshiroj të shtoj disa fjalë në lidhje me blerjen e votave: Kushti ynë numër 5. thotë, se hetimet nga shërbimi i prokurorisë dhe, në rastet e caktuara, procedurat gjyqësore kundër personave të lidhur me blerjen e votave në zgjedhje duhen nisur dhe duhet të sigurohet që procedurat të zhvillohen me rigorozitet dhe në mënyrë të shpejtë. Për Bundestag-un blerja e votave është rasti më i keq në një demokraci. Për këtë arsye Bundestag-u ka ndjekur me përparësi ecurinë e dosjeve 184 dhe 339, por gjithashtu edhe me shqetësim deri këto ditët e fundit. Kjo është arsyeja pse ky kushti nr.5 është kushti mbi të cilin do të kërkojnë llogari të gjithë në grupin e partisë sime: a është përmbushur plotësisht ky kusht? Me fjalë të tjera: është në krye të listës sonë të përparësive! Por, ndërkohë më duhet të shprehem se: Kjo detyrë nuk është kryer në mënyrë të shpejtë dhe as nuk është kryer në mënyrë rigoroze. Për të përmbushur këtë kusht ju duhet të përdorni institucionet më të mira të përshtatshme që keni. Dhe ju i keni ato. Ju lutemi përdorini ato! Këto raste janë një provë e vërtetë nëse institucionet e drejtësisë të krijuara rishtazi funksionojnë siç duhet siç përcaktohet në kushtin Nr 6 të Bundestag-ut.

Z. President!

Ju e dini se sa e vështirë ishte për të marrë mbështetjen e grupit të partisë time për mocionin e Bundestag-ut me 9 kushtet. Shumë prej tyre ishin kundër një vendimi pozitiv. Në fund ne e morëm mbështetjen sepse deputetët në grupin e partisë time kanë besim tek anëtarët tanë që punojnë në fushën e politikës së jashtme dhe çështjeve evropiane dhe tek unë, që ne do të sigurojmë që të gjitha 9 kushtet të përmbushen plotësisht para se të japim dritën jeshile në Konferencat Ndërqeveritare.

Presidenti i Republikës nënvizoi kënaqësinë për dekorimin e një miku të veçantë dhe të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Po ashtu kam besim se zoti Falenski dhe miqtë tanë në Bundestag do të vijojnë të mbështesin rrugën europiane të Shqipërisë, deri në anëtarësimin e plotë e të merituar. Me këtë besim dhe ‘Me mirënjohje për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, dhe në veçanti për arritjen e standardeve europiane të demokracisë dhe shtetit ligjor gjatë procesit të integrimit europian të Shqipërisë’, kam kënaqësinë që t’i akordoj zotit Falenski, titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”! Skënderbeu përcaktoi të ardhmen europiane të Shqipërisë disa shekuj më parë dhe ne nuk mund ta humbasim sot. Ne kemi nevojë për ju dhe për miq të vërtetë europianë!” – u shpreh Presidenti i Republikës.

ME TE LEXUARAT