Hetimi i UEFA-s, ja 6 pikat ku mbrohet Kukësi

Sport

kukesiKlubi i Kukësit ka hartuar një raport me argumente dhe prova televizive, të cilat sot do t’i dërgojë në Komisionin e Disiplinës pranë UEFA-s.

“Panorama Sport” zbulon se klubi ka gjetur prova të pakundërshtueshme, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e delegatit të takimit dhe vendimin që ka marrë gjyqtari për të ndërprerë ndeshjen ndaj Legias.

Klubi u ka mëshuar 6 pikave, ku argumenti më kryesor shihet fakti se fusha nuk u invadua nga tifozët. Gjithashtu, sipas asaj që pretendojnë drejtuesit e Kukësit, edhe pse delegatit dhe oficerit të sigurisë iu garantua gjithçka, madje deri në zbrazjen e tribunës D2, përsëri nuk u mor parasysh ky fakt. Një temë më vete është edhe goditja e lojtarit sllovak të Legias, Duda. Sipas klubit kuksian, nuk është e provuar se kush e ka goditur futbollistin, i cili ka qenë duke festuar afër tribunës ku ndodheshin tifozët polakë. Në këto kushte, pretendohet se guri mund të ketë ardhur edhe nga sektori ku ndodheshin tifozët e Legias dhe deri në vërtetimin e plotë të ngjarjes, nuk mund të bëhet me faj të plotë klubi i Kukësit, pavarësisht se është organizator i takimit. Ndërkohë, të gjithë pjesëtarët e klubit të Kukësit, gjatë dy ditëve të fundit kanë vijuar me mbledhjen e fakteve dhe provave materiale, filmike, videove, deklaratave, por dhe raporteve të mbajtura nga delegati dhe gjyqtari.

Gjithashtu, si dëshmi do të dërgohen edhe deklaratat e kapitenëve e trajnerëve, e vetë drejtuesve të Kukësit për vijimin e ndeshjes. Por do të kërkohet edhe raporti i mjekut, që është shumë i rëndësishëm, për dëmtimin e lojtarit Duda. Nga ana tjetër, Kukësi do të dërgojë si provë edhe disa foto të momentit të golit të parë, kur lojtari serb i Legias, gjatë festimit provokon hapur me gjeste fyese tifozët vendës. Zyrtarët dhe juristët e klubit përpiluan këtë raport dhe mendojnë se do të hedhin poshtë ato që ka shkruar delegati holandez dhe arbitri zviceran. Te veriorët janë të bindur se ata kanë vepruar me tendencë gjatë ndeshjes dhe në çdo episod, sikur mezi prisnin të ndodhte ndonjë incident, për të mbyllur takimin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Ne do të mbrohemi me faktin se në atë takim askush nuk hyri në fushë. Madje dhe lojtari i dëmtuar, Duda, ndërroi fanellën dhe ishte gati për të luajtur, pasi dëmtimi ishte i lehtë”, është shprehur për gazetën shefi i klubit kuksian, Jonuz Hallaçi.

Argumentet

1. Nuk u futën tifozë në fushë;

2. Nuk u cenua siguria e askujt nga persona brenda fushës apo në dhomat e zhveshjeve.

3. Nuk ka pasur trazira në fushë apo dhomat e zhveshjes.

4. Lojtarët e Legias provokuan tifozët me gjeste pas golit të parë, ndërsa arbitri nuk mori asnjë masë.

5. Nuk dihet se kush e ka goditur lojtarin e Legias, Duda, i cili ka qenë duke festuar afër tribunës ku ndodheshin tifozët polakë.

6. Pala jonë kërkoi që ndeshja të luhej pasi dhamë garanci për sigurinë në stadium, duke garantuar edhe zbrazjen e tribunës.

ME TE LEXUARAT