Zjarri në pallatin 10-katësh në Tiranë, merren në pyetje administratori dhe disa banorë
Pallati 10-katësh në rrugën e Kavajë në Tiranë u përfshi nga flakët. Pas më shumë se 3 orësh zjarrfikësit arritën që të neutralizonin zjarrin.
Administratori i pallatit është marrë në pyetje, nga shërbimet e komisariatit 2
Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe banorët e katit të fundit që u dogj nga zjarri.
Shkëlqim Goxhaj, kreu i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, dha më herët detaje për zjarrin që ndodhi në zonën mes “Vasil Shantos” dhe “Ish-parkut të autobusëve”. Ai tha se materiali i fasadës ka favorizuar përhapjen e zjarrit.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Ndryshe nga njoftimi që dha Policia e Tiranës në informacionin paraprak, Goxhaj zbuloi se zjarri ka qenë në momentet e para në katin e dytë të pallatit dhe në tarracë.
Këtu, tha ai, ka nevojë për hetime pasi duhet të shihet nëse zjarri ka rënë fillimisht në katin e dytë dhe ka shkuar në tarracë apo ka qenë e kundërta.
Pjesë nga fjala e kreut të Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj:
Situata e zjarrit është nën kontroll. Zjarri po shkon drejt izolimit, është pjesa përballë që ne po e ndjekim, kurse pjesa lindore ka përfunduar më shpejt. Këtu po vazhdojmë me vatrën e fundit që është në një banesë. Zjarri ka qenë në fillim në katin e dytë të këtij objekti dhe është përhapur me shpejtësi në tarracë.
Ne kemi qenë që në momentet e para bashkë me Policinë e Shtetit dhe kemi evakuuar banorët, së pari.
Në këto momente nuk mund të flasim për shkak të zjarrit. Janë ekspertët e Policisë, janë ekspertët e shërbimit zjarrfikës. Do jemi këtu deri në përcaktimin e zjarrit me përmasa të tilla. Zjarri ka qenë i shtrirë në pjesën e jashtme të objektit, dyert janë të blinduara dhe nuk i verifikojmë dot katet.
Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar për zjarrin që ra në pallatin 10-katësh në zonën e ish-parkut të Autobusëve. Veliaj thotë se hetimet po vijonë dhe se Bashkia Tiranë do të ndihmojë me grante çdo familje qe ka dëmtime orendi dhe elektroshtëpiake.
"Mirënjohje skuadrave zjarrfikëse, emergjencave dhe policisë për reagimin e shpejte për të shpëtuar njerëzit. Jeta është me e rëndësishme se gjithçka! I kam kërkuar ekipit të nisë menjëherë hetimin mbi burimin e zjarrit! Momentalisht po bëhet këqyrja e çdo hapësire e pajisjeve në godinë! SI gjithnjë, BT do ndihmojë me grant për çdo familje qe ka dëmtime orendi dhe elektroshtëpiake!" tha Veliaj.
Pallati 10-katësh i përfshirë nga flakët në zonën e ish-parkut të Autobusëve është ndërtuar në vitin 2021. Firma ndërtuese rezulton të jetë ‘Mëhillaj sh.p.k.’.