Përballja Tirana-Partizani, Shehi-Daja ndezin sfidën

Sport

Përballja Tirana-Partizani, Shehi-Daja ndezin sfidën

Më në fund është koha të shijojmë pak nga magjia e derbit të kryeqytetit, futbolli shqiptar kthen vështrimin nga “Air Albania”, aty ku luhet sfida e përjetshme, Tirana-Partizani. Pas dy vitesh, tifozët rikthehen për të ndjekur live këtë përballje ekipe. Zyratarisht stadiumi duhet të jetë me kapacitet të limituar, me vetëm 30% në dispozicion, por atmosfera pritet të jetë elektrizuese pasi në impiantin modern pritet të këtë mbi 15 mijë tifozë, kjo pasi deri të dielën kanë avulluar mbi 10 mijë bileta. Kjo është një prove gjeneralë edhe për vetë FSHF-ën dhe organizatorët pasi në “Air Albania” do të ketë inspektorë të UEFA-s. Derbi nuk është kurrë një ndeshje e radhës, nuk është kurrë një sfidë normale, pavarësisht se vlen po tre pikë, për këtë është i bindur Orges Shehi i cili kërkon fitoren e parë si trajner në derbi:

“Dihet rëndësia që ka derbi, sigurisht është një ndeshje që ka impakt te të gjithë, sidomos te tifozët dhe lojtarët. Është një ndeshje e rëndësishme por që vlen tre pikë dhe është vetëm fillimi i kampionatit Skuadra vjen e plotë, kemi rikuperuar lojtarë që nuk ishin javën e kaluar dhe jemi të plotë për sfidën e nesërme.

Dihet rëndësia që kanë tifozët për skuadrën tonë, jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe në të tjerat kanë qenë të shumtë dhe i falënderoj. Jam i sigurt që nesër kemi një ndeshje ku do të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur.

Asnjë fitore si trajner ndaj Partizanit? Mendoj se nuk ka sfida personale, janë kolektive. Luajnë dy skuadra që i japin tonin kampionatit tonë, janë ato më me rivalitet dhe histori. Ju i mbani statistikat, ne do të mundohemi nesër të marrim fitoren dhe vetëm për këtë do futemi në fushë për të vazhduar rrugëtimin tonë

Të gjithë derbit që mbaj mend unë dhe ka shumë vite që i mbaj mend, nuk ka pasur ndikim klasifikimi, zërohet gjithçka, zërohen pozicionet dhe për një ndeshje duket sikur luhet java e parë e kampionatit pa pasur rëndësi pozicioni.

Dita para derbit ka qenë ditë entuziaste, sepse vinim pas një periudhe të vështirë, duke parë çfarë kaluam, vinim pas një fitoreje shumë të rëndësishme ndaj kampionëve. U kam thënë lojtarëve të jemi të qetë, të mundohemi të kontrollojmë emocionet se të dëmtojnë. Kam marrë përgjigje nga skuadra jo me fjalë, por vepra në stërvitje. Skuadra vazhdon të jetë e motivuar dhe përqendruar pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë.

Kë do i hiqja Partizanit? Nuk janë sfida personale dhe skuadrat nuk përbëhen nga individë, ka lojtarë kualitativë por jam më shumë i interesuar te skuadra ime dhe shpresoj të bëjmë mirë punën tonë. Po të bëjmë mirë atë që besoj se mund të bëjmë, besoj se do të dalim fitimtarë”, tha Shehi para gazetarëve.

Presioni është më i madh në kapin e kuq, kjo për vetë pozitat ku ndodhen në tabelën e klasifikimit, 7 pikë diferencë me Tiranën janë shumë në vetëm 6 javë kampionat. Trajneri Daja është i qartë kur shprehet se kjo sfidë nuk vendos fatet e sezonit por mund të ketë një imapk shumë të madh në aspektin psikologjik, në të njëjtën kohë, kjo është një ndeshje ku të kuqtë futen në fushë për të fituar, këtë herë as barazimi nuk mjafton, pavarësisht vështirësive që paraqet kjo përballje:

“Përtej pikëve të lëna, atmosfera është e mirë pasi derbi është një ndeshje që i motivon lojtarët. Kemi disa mungesa të formacionit ku do të veçoja Kaçen, Cardozon dhe Carën që kanë qenë në formacion gjatë këtyre javëve. Camara ka lëvizuar jashtë Shqipërisë për procedurat që do të thotë që reparit që na mungon më shumë është sulmi. Kjo nuk do të thotë asgjë pasi derbi është një ndeshje për t’u fituar dhe nuk ka justifikime pasi çdo lojtar që do të luajë do të japë maksimumin. Ne pretendojmë për të marrë fitoren e e parë e këtë gjë duam ta bëjmë në derbi.

Kush fitoren në derbi ka një avantazh të madh nga ana psikoligjike, por ka ende shumë javë për t’u luajtur. Në objektivat afatshkurtër do të jetë një pikë kthesë, por në ato afatgjata nuk ndryshon gjë pasi ka edhe 3 derbi të tjerë. Në derbi prodhojmë pak spektakël, por nuk do të futemi në fushë për barazim, por vetëm për fitore”.

Tifozët? “Ne e kemi të qartë që ndeshje luhen për tifozët dhe çdo trajner e do stadiumin plot. Duhet të jemi edhe realistë për situatën pasi një stadium plot mund të agravojë më shumë situatën dhe këtë gjë e dijnë më mirë ekspertët e mjekësisë”.

Aspekti psikoligjik? “Derbi është një ndeshje për t’u luajtur dhe për t’u fituar. Mendoj që derbi ka një pjesë tjetër të menaxhimit të dozës emocionale e për këtë arsye kemi punuar më shumë. Në këto raste llogjika del në plan të dytë dhe prandaj kemi punuar më shumë në këtë aspekt”.

Skema? “Nuk ka të bëjë skema, mund të luash me 3 sulmues dhe të shkosh te zona e golit me një lojtar ose të luash me një 9-sh false dhe shkon në zonën sulmuese me 5 lojtarë”.

Faza sulmuese? “Jemi një nga skuadrat që kemi bërë më shumë goditje dhe kemi krijuar më shumë raste. Ajo që duhet të ndryshojë është finalizimi. Kukësi e menaxhoi mirë pjesën e parë ndeshjen e kaluar, por nëse do të kishim shënuar golin e dytë ndeshja do të përfundonte ndryshe”.

Deklarata e presidentit Demi? “Të punosh te Partizani, një nga klubet më të titullar në Shqipëri ka presion pasi objektivat janë gjithmonë të larta. Kemi një skuadër me moshë të re dhe një suport i tillë nga presidenti do të thotë më shumë përgjegjësi. Nuk na ka munguar ana financiare dhe as suporti nga presidenti dhe kjo përkthehet në përgjegjësi më të madhe për të arritur objektivat që ka skuadra. Me hapjen e kompleksit ku mezi po e presim të gjithë besoj se ky proces do të zhvillohet akoma më shumë dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe për të arritur objektivat”, u shpreh Daja.

Tirana vjen e plotë, në formë shumë të mirë dhe me moralin lart pas fitores kundër Teutës. Në kampin e kuq diskutimi është ndryshe pasi trajneri Daja duhet të bëjë llogaritë me disa mungesa thelbësore si Kaçe, Cara dhe Kardozo, ndërsa së fundmi ka humbur dhe shërbimet e mesfushorit Rrapaj./BW

ME TE LEXUARAT