Mundësit Valiev dhe Dudaev mbërrijnë në Tiranë! Priten me ceremoni dhe tapet të kuq
Delegacioni që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike "Paris 2024" ka mbërritur në Tiranë. Kreu i KOKSH, Fidel Ylli, sportistët medalistë Islam Dudaev dhe Chermen Valiev, si dhe trajnerët e tyre përkatës kanë zbritur nga avioni të buzëqeshur.
Kujtojmë se për herë të parë Shqipëria siguroi dy medaljet e para Olimpike, ato të bronzta në mundje me Valiev dhe Dudaev. Pas 52 vitesh nga pjesëmarrja e parë në Olimpiadë (Munich 1972), Shqipëria siguron medalje në ngjarjen e madhe sportive botërore.
Më 10 gusht Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024. Ai fitoi medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani, në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Një medalje e dytë iu ofrua Shqipërisë nga mundësi Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.
Veç dy sportistëve që i dhuruan medalje vendit tonë, pjesë e këtij eventi ishin edhe gjashtë sportistë të tjerë që nuk mundën të siguronin medalje. Manjola Konini në qitje, Luiza Gega dhe Franko Burraj në atletikë, Grisi Koxhaku e Kaltra Meça në not, si edhe rusi i tretë i natyralizuar si shqiptar, mundësi Zelimkhan Abakarov.