Disfatë në Dortmund, Shqipëria bie ndaj Italisë në Euro 2024

Sport

Disfatë në Dortmund, Shqipëria bie ndaj Italisë në Euro

Dukej një mrekulli, por zgjati shumë pak. Shqipëria bie në debutim në “Euro2024”, me kuqezinjtë që pësuan një humbje 2-1, një humbje me përmbysje që djeg jo pak, pasi pritshmëritë ishin shumë të mëdha.

Në fund diferencën e bëri edhe një herë tradita e madhe e një përfaqësuese si Italia, e cila ishte dhe mbetet një tabu për Shqipërinë. 23 sekonda për të shkruar historinë, realizuam golin më të shpejtë në një Evropian, por perla e Nedim Bajramit ishte thjeshtë një mirazh i bukur. Për fat të keq, Italia përmbysi gjithçka brenda pesë minutave duke përfituar nga një moment jo i kuqezinjve.

Bastoni me kokë në shtyllën e dytë fitoi duelin ajror, duke dërguar topin në trekëndësh. “Azzurrët” nuk u mjaftuan me kaq, por Barella, pikëpyetja e madhe e këtij takimi, me një goditje të fortë nga distanca dërgoi topin në rrjetë duke mposhtur Strakoshën për herë të dytë.

Në fraksionin e dytë, Shqipëria bëri pak për të trembur Italinë, ndërsa ekipi i Spallettit administroi me qetësi një sukses të rëndësishëm duke e futur në valle për të siguruar kualifikimin në grupin e “ferrit”. Pavarësisht se dalim duar bosh, kjo ishte një paraqitje pozitive, me ëndrrën kuqezi që vijon.

ME TE LEXUARAT