Serbët ndihmuan osmanët ta pushtojnë Ballkanin

Soft

Serbët ndihmuan osmanët ta pushtojnë Ballkanin

Një studim i ri i prof. dr. Oliver Jens Schmitt shpluhuron disa mite të historisë serbe. Sipas Schmitt, serbët u kanë dhënë osmanëve ndihmë vendimtare për ta pushtuar Ballkanin
Në kulturën serbe të kujtesës s’ka vend për dilema: serbët, sipas këtij rrëfimi të etabluar, më 1389 mbrojtën krishterimin në Betejën e Fushë-Kosovës kundër osmanëve.

Në një studim të ri të botuar së fundi në “Zeitschrift für Balkanologie” (Revista për Ballkanologji) profesori i historisë në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, shpluhuron disa mite të historisë serbe dhe arrin në përfundimin se elitat serbe pas vitit 1389 u kanë dhënë osmanëve ndihmë vendimtare për ta zaptuar Ballkanin. Një përmbledhje të studimit të tij Schmitt e ka botuar të hënën në gazetën austriake “Der Standard”.

Sipas Schmitt, një shikim i burimeve dhe librave të historisë mjafton për të konstatuar se në të gjitha çastet vendimtare të historisë osmane nga viti 1389 deri më 1459, kur u zhduk despotati (principata) serbe, shtresa aristokrate serbe ua mbajti anën osmanëve dhe intervenoi kundër kundërshtarëve të krishterë të osmanëve. Më 1395 princi ortodoks i Vllahisë Mirçea (Plaku) u përball me Sulltanin osman, Bajazitin I. Fitorja osmane u bë e mundshme nga aristokratët serbë, të cilët i shërbenin ushtrisë osmane si vasalë, mes tyre sidomos Marko Kraleviqi. Në kujtesën serbe Kraleviqi është hero i luftës kundër osmanëve, në realitetin historik ai luftoi dha ra për palën tjetër, për osmanët, shkruan Schmitt.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Një vit më vonë, më 1396, Mbreti hungarez, Sigismundi i Luksemburgut, mblodhi aristokratë nga mbarë Europa për të depërtuar në zemrën e Perandorisë Osmane, në Bullgarinë e sotme. Qëllimi ishte të dëboheshin osmanët. Në Betejën e Nikopolit në Danub forcat serbe të prira nga Stefan Llazareviqi, i biri i Princit Llazar të vrarë shtatë vjet më parë, ndikuan që të fitojnë trupat osmane. Të krishterët u mposhtën, aristokratët e pasur u burgosën dhe shumë familje aristokrate franceze falimentuan duke i paguar Sulltanit para për pengje, nënvizon Schmitt.


Edhe më 1402 sundimtari mongol Timur Lenk marshoi në Anadoll. Afër Ankarasë ai u përball me Sulltanin osman, Bajazitin I. Ushtria osmane u shpërbë pasi vasalët turko-myslimanë të Sulltanit kaluan në anën e mongolëve dhe princërit osmanë dezertuan. I vetmi që deri në fund luftoi kundër mongolëve ishte Stefan Llazareviqi dhe trupat e tij. Më 1430 osmanët sulmuan Selanikun, krahas Kostandinopojës, qyteti më i rëndësishëm i Ballkanit. Pjesëmarrës vendimtarë ishin ushtarët serbë nën udhëheqjen e Grgur Brankoviqit. Kur më 1453 Sulltan Mehmeti rrethoi Stambollin dhe më 29 maj e pushtoi, trupat serbe ishin pjesë e ushtrisë osmane dhe jo në anën e bizantinëve ortodoksë.

Në studimin e tij Schmitt shpjegon arsyen pse serbët përkrahën osmanët në pushtimin e Ballkanit. Pas humbjes në Betejën e Fushë-Kosovës, aristokratët serbë u bënë vasalë të osmanëve, sidomos dinastitë e Llazareviqëve dhe Brankoviqëve. Rol qendror luanin martesat mes dinastive. Olivera Llazareviq u martua me Sulltan Bajazitin I dhe Mara Brankoviq me Sulltan Muratin II (1422-1451). Bashkë me këto dama në oborrin e Sulltanit erdhën edhe serbë të tjerë. Kronikat osmane e përshkruajnë Oliverën si “femme fatale”, e cila kishte futur në përdorim pirjen e alkoolit në oborrin e Sulltanit dhe kësisoj kishte trandur traditat e vjetra të Sulltanëve. Pas vdekjes së burrit të saj, Mara Brankoviq u shpërngul në Maqedoninë jugore dhe me vite të tëra mbajti në duar penjtë e diplomacisë së fshehtë drejt Perëndimit, sidomos Venedikut. Në oborrin osman u krijua një elitë serbe dhe deri në shekullin e 16-të serbishtja ishte shumë e përhapur aty.

Giorgo Sfranze, këshilltar i Perandorit të fundit bizantin, Konstantinit XI, dhe dëshmitar i fundosjes së Bizantit, gjatë qëndrimit në ekzil në Korfuz formuloi akuzën më të ashpër ndaj serbëve, shkruan Schmitt.

“Nga territoret e ndryshme Serbia ka mundur të dërgojë fshehurazi para dhe burra. A ka parë ndokush para? Vërtet ata dërguan para dhe shumë burra, por ata ia dërguan emirit (mendohet Mehmetit II), i cili ishte duke e rrethuar qytetin (Kostandinopojën). Dhe turqit gëzoheshin dhe thoshin: pa shihni, edhe serbët janë kundër jush”, kishte shkruar Giorgo Sfranze. Thellë i dëshpëruar ky bizantin kujtonte rolin serb në rënien e Kostandinopojës, ku duke luftuar ra Konstantini XI. Elitat serbe nuk ushtronin solidaritet ortodoks, nënvizon Schmitt./Koha.net

ME TE LEXUARAT