Zyrtari i DASH kundër korrupsionit në Tiranë, Richard Nephew: SHBA-të duan ti japin fund pandëshkueshmërisë

Politikë

Zyrtari i DASH kundër korrupsionit në Tiranë, Richard Nephew:

Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global i qeverisë Amerikane, Richard Nephew ndodhet në Tiranë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë.

Pasditen e sotme ai pati një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias shqiptare për të dëgjuar mbi pikëpamjet e tyre për luftën kundër korrupsionit dhe çuarjen përpara të transparencës në qeverisje.

"Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë në shkallë globale, përfshirë duke mbështetur organizatat që luajnë një rol të rëndësishëm mbikëqyrës" ka thënë  Nephew në takim, informon ambasada amerikane.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nephew është pritur nga i dërguari i SHBA në vendin tonë, David Wisner.

Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, ambasada shkruan se vizita e të dërguarit të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken riafirmon mbështetjen SHBA në luftën kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi.

“Sot ne mirëpresim Richard Nepheë, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Kundër Korrupsionit Global.

Nephew po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë”, shkruan ambasada e SHBA.

Vizita vjen 5 ditë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden zgjati edhe një vit urdhrin ekzekutiv për gjendjet të jashtëzakonshme në Ballkan, duke vlerësuar se situata në Ballkan vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Për këtë arsye, sipas njoftimit, gjendja e jashtëzakonshme për Ballkanin duhet të mbetet në fuqi edhe pas datës 26 qershor 2024. Më 8 qershor 2021, u miratua "Urdhri Ekzekutiv 14033", i cili zgjeroi shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar.

Në këtë urdhër thuhet se situata në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit - duke përfshirë cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas rënies së Jugosllavisë, si dhe korrupsionin e përhapur në qeveri dhe institucione të ndryshme në Ballkani - pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.

Takimi me përfaqësues të drejtësisë e sulmi i Berishës e Metës

Pjesë e axhendës së takimeve është dhe ato me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë ku pritet të theksohet edhe mbështetja e Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. 

Kjo vizitë vjen në një kohë kur SPAK po sulmohet nga  ish kryeministri Sali Berisha në hetim për korrupsion dhe i shpallur non grata nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar por dhe nga aleati i tij Ilir Meta, ish president i Shqipërisë.

Edhe sot në tryezën e rrumbullakët me donatorë organizuar nga ministria e Brendshme, zëvendës shefja e Misionit në detyrë e Ambasadës së SHBA-ve, Kathryn Hammand tha se SHBA po investojnë në forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, por shtoi se kjo është një detyrë që nuk mund të bëhet vetëm dhe kërkon veprime dhe përpjekje nga të gjithë institucionet dhe aktorët.

“Zyrtarë të korruptuar janë duke dhënë llogari para drejtësisë, anëtarë të krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbin pasuritë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, që po ecën përpara, - tha zonja Hammand. - SHBA-të, - shtoi ajo, - do të vazhdojnë ta mbështesin fort Shqipërinë dhe përpjekjet e saj, të cilat janë thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Europian, çka populli shqiptar dëshiron”.

ME TE LEXUARAT