Zgjedhjet e 14 majit/ Nuk përmbahet kandidati i Berishës: Njerëzit do therin dashin para këmbëve të mia
Sali Berisha nga Kuçova iu ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë kandidatin e Partisë së Lirisë, Lefter Maliqi. Në ceremoninë e prezantimit, Berisha tha se është i bindur që do të fitojnë, teksa nuk i kurseu lavdet për të.
“Kjo energji është burim i fuqishëm frymëzimi, është burim i fuqishëm shprese, për banorët e Kuçovës dhe mbarë shqiptarët që në datën 14 maj të votojnë kandidatin e koalicionit Lefter Maliqin njërin nga qeveritarët vendorë më të përkushtuar të këtij vendi.
Një bir të këtyre trevave, që pushtetin që i dhanë ju, e përdori për transformime, ndryshime, përmirësim të jetës tuaj, të kushteve tuaja, të punës tuaj në tërësi.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Komunat në të cilat qeverisi Lefter Maliqi, pësuan ndryshime më thelbësore se shumë e shumë rajone e komuna të tjera të vendit, dëshmi kjo e përkushtimit, por edhe e ndershmërisë, transparencës, vizionit, dashurisë së tij për të ndryshuar çdo ditë realitetin ku jetoni.
"Lefter Maliqi në çdo detyre, ka qenë dhe ka dëshmuar një përkushtim të madh. Ai vjen sot si kandidat i koalicionit me mbështetje të plotë dhe totale të demokratëve, të qytetarëve, të Partisë së Lirisë dhe unë kam bindjen e madhe se këtu në Kuçovë, koalicioni ynë do të ketë një nga sukseset më të shkëlqyera”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Maliqi ka listuar disa nga premtimet për bashkinë e Kuçovës e ndërsa tha se do të do ta shndërrojë këtë Bashki në një kantier ndërtimi.
“Kini besim të patundur që do i bëj të gjitha që vitin e parë. Nuk ka asgjë që më ndal për të punuar për publikun. E keni parë në komunën që drejtoja, që njerëzit nga gëzimi thernin dashin te këmbët se i ktheva në vepra. I dyfishova në vepra.
Do të suvatohen të gjitha pallatet që janë bërë si gërmadha, do të luhen të gjitha. Të gjitha rrugët e lagjeve brenda dy viteve do të asfaltohen. Qendra e kulturës do të bëhet, tregu do të bëhet modern, ura e Bardhajt, shumë rrugë do të bëhen shumë shpejt”, u shpreh ai.
Maliqi u shpreh se që në muajin e parë do të blihen 13 mjete, ndër to edhe dy mikrobusë të linjës Kozare-Lumas me 50% të kostos për qytetarët dhe falas për pensionistët.
“Do të blihen 13 mjete që në muajin e parë, tre fadroma, tre kamionë, dy mikrobusë të linjës Kozare Lumas me 50% kosto dhe për pensionistët falas. Lefter Maliqi çfarë thotë e bën realitet. Do të qërojmë. Do i hedhim në kosh tenderat korruptivë të pastrimit të qytetit dhe do bëjmë atë që duhet.
Të gjitha rrugët dhe urat në fshatra do bëhen të gjitha. Meriton Kuçova këtë gjendje ku është?! A nuk meriton Kuçova një muze historik. Nuk meriton një qendër kulture? A meriton një treg si Kandahar?”, tha Maliqi.