“U vra pabesësisht”/ Basha për Azem Hajdarin në 25 vjetorin e vdekjes: Kontributi i tij do të nderohet përherë
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka kujtuar sot në 25-vjetorin e vrasjes Azem Hajdarin. Basha shkruan se kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti politik i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit. Sipas Bashës, kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë, si dëshmia më domethënëse e forcës së një populli të shtypur dhe nëpërkëmbur për të sfiduar frikën dhe apatinë
POSTIMI I PLOTË
25 vite më parë u vra pabesisht Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore që me veprën e tij të pavdekshme u bë simboli i vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe ngadhënjimin e lirisë mbi diktaturën.
Kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti politik i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit. Angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për t’i shërbyer njerëzve dhe jo vetes, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetët e shqiptarëve të etur për ndryshim dhe jo për të ringritur sarajet e reja të luksit dhe pushtetit personal mbi muret e vjetra të arrogancës, korrupsionit dhe hipokrizisë së regjimit komunist.
Kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë, si dëshmia më domethënëse e forcës së një populli të shtypur dhe nëpërkëmbur për të sfiduar frikën dhe apatinë, për të triumfuar mbi të keqen dhe për të ndërtuar përmes lirisë një të ardhme të denjë për çdo shqiptar. I paharruar kujtimi i tij!