“Të zbatohet statuti i PD, të gjithë t’i nënshtrohen votës”, Murrizi: "Do të jem pjesë e primareve të partisë"
Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, Myslim Murrizi ka deklaruar se PD u përket atyre që e kanë themeluar dhe që kanë qëndruar me të pa u sorollatur, ndërsa theksoi se edhe pse është përjashtuar nga partia, nuk ka ikur dhe do të vazhdojë të flasë për sa kohë të mbetet anëtar i Këshillit Kombëtar.
Në lidhje me ambiciet e tij politike, Murrizi ka njoftuar se do të garojë në primaret e PD-së dhe ka shprehur dëshirën për të qenë kandidat, duke theksuar se deputetët duhet të zgjidhen nga qytetarët dhe jo të emërohen në mënyrë të njëanshme.
Murrizi ka kërkuar një zbatim më të fortë të statutit të partisë dhe një transparencë më të madhe në përzgjedhjen e anëtarëve të kryesisë dhe kandidatëve. Ai ka argumentuar se anëtarët e kryesisë që nuk janë votuar nuk gëzojnë respektin e duhur dhe se kjo situatë është një nga faktorët që kontribuojnë në krizat dhe përçarjet e brendshme të partisë, duke iu referuar Agron Gjekmarkajt dhe Gazment Bardhit.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“PD iu përket atyre që e kanë themeluar dhe që kanë qëndruar me të pa u sorollat, unë do flas për sa kohë të jem anëtar i Këshillit Kombëtar. Mua më kanë përjashtuar, nuk jam larguar asnjëherë.
Myslim Murrizi është përjashtuar nga Luli dhe luljetat që e rrethonin. Mua më kanë përjashtuar, Jozefina, Astrit Patozi nuk janë përjashtuar dhe kam gjetur një artificë për të garuar. Unë do garoj në primare, kam ambicie për të qenë kandidat, deputetët i zgjedhin qytetarët.
Ka deputetë që shohin filxhan, unë do doja të zbatohej statuti dhe t’i nënshtrohen votës të gjithë që duan të bëjnë karrierë brenda partisë. Aty mund të vijnë dhe anëtarë kryesie pa votë, nuk e gëzojnë respektin, timin jo por edhe të shumë të tjerëve”, u shpreh ai.