Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit në “black out”, Komisioni Evropian nis hetim ndërkombëtar për incidentin
Komisioni Europian ka njoftuar se do të nisë hetim ndërkombëtar për incidentin e djeshëm të ndërprerjes së energjisë elektrike në Shqipëri, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci.
Në një njoftim të publikuar nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) thuhet se për këtë ngjarje aktualisht janë duke u mbledhur të dhëna teknike nga OST-të e prekura, për të nisur pastaj një hetim të detajuar në javët vijuese për të përcaktuar shkakun e vërtetë të incidentit të djeshëm në rrjet në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale.
“Më 21 qershor 2024 rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
ENTSO-E aktualisht është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur.
Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”,- thuhet në njoftimin e ENTSO.
Në një deklaratë për media të dhënë më herët, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se incidenti i raportuar në rrjet ndodhi për shkak se linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë pati një defekt, i cili rezultoi në shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Sipas saj, e njëjta situatë ndodhi edhe në Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë si dhe pjesërisht në Kroaci.