PBDNJ e zyrtarizoi si kandidat në Himarë, Petro Gjikuria: Kam punuar shumë në Greqi

Politikë

PBDNJ e zyrtarizoi si kandidat në Himarë, Petro Gjikuria: Kam punuar

Opozita ka konfirmua kandidaturën e Petro Gjiknurisë për zgjedhjet që do të mbahen në Himarë më datën 4 gusht.

Përmes një deklarate për media nga ana e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është konfirmuar lajmi ekskluziv i dhënë ditën e mërkurë nga Euroneës Albania, se kandidat nga opozita për Bashkinë Himarë, do të jetë shqiptaro-amerikani nga Dhërmiu, petro Gjikuria.

NJOFTIMI I PBDNJ:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONOIA” pas konsultimesh intensive me komunitetet përbërëse të Bashkisë Himarë por edhe asosacionet përfaqësuese të tyre në emigracion, u propozoi Partive Politike opozitare aleate që në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Himarës të mbështesim kandidaturën e z Petro Gjikuria.

Rrëmbimi i mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Himarës z Fredi Beleri dhe dhunimi i vullnetit të sovranit nga Kryeministri Edi Rama duke instrumentalizuar individë dhe segmente të Policisë së Shtetit, Drejtësisë, KQZ -së dhe vetë Presidentin e Republikës përbën precedentin më të rrezikshëm në historinë posttotalitare të vendit për votën e lirë, shtetin e së drejtës, demokracinë funksionale dhe të drejtat e njeriut duke rritur kështu edhe më shumë distancën që na ndan nga standartet dhe praktikat më të mira Evropiane.

Për rrjedhojë, në zgjedhjet e pjesshme në Himarë nuk do të varet vetëm fati i drejtimit të Bashkisë për pjesën e mbetur të mandatit, por edhe fati i standarteve të zhvillimit të zgjedhjeve palamentare të vitit të ardhshëm.

Ndaj, le t’u bëhemi të gjithë krahë Himarjotëve në këtë mision fisnik për zgjedhje të lira dhe të ndershme që me aq përkushtim, vendosmëri dhe sakrifica i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë për të mbrojtur dinjitetin, të drejtat dhe vullnetin e tyre, por njëherësh edhe pronën që po ua rrëmben autokrati me oligarkët e tij.

Reagimi i Petro Gjikurias: 

Të dashur bashkëqytetarë!
Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur. Prej vitesh, vendi ynë Himara, Lukova dhe Vranishti kanë mbetur pas ndërsa bota përparon. Një vend i bekuar, me bukuri natyrore mahnitëse, me njerëz të aftë dhe punëtorë që kanë shkëlqyer kudo në botë, sot nuk është i denjë as për mundësitë, as për paraardhësit tanë, as për qytetarët e vet, dhe aq më tepër për fëmijët tanë.

Prej 12 vitesh Bashkia nuk pati forcën të planifikojë dhe materializojë ato çka nevojiten. Një kryetar bashkie partiak, zbatues i urdhrave të qeverisë, shpërdoroi shumë kohë për të bërë shumë pak.
Kur qytetarët e Himarës vendosën të ndryshonin kryetarin e bashkisë, nuk u lejuan. Ish kryetari humbës i zgjedhjeve vazhdoi të qëndrojë në drejtimin e Bashkisë dhe Kryebashkiaku fitues, Fredi Beleri, e pa veten pas hekurave të burgut me akuza të fabrikuara. Gjatë gjithë kësaj kohe Himara mbeti pa kryetar bashkie.

Duke parë të gjitha këto dhe pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës.

Kam lindur në Dhërmi dhe vij nga një familje që ka luftuar për dy gjëra të shenjta: për Vendin dhe për Demokracinë. Kam punuar fort në Greqi dhe në SHBA dhe kam mësuar shumë duke punuar në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, por edhe në organizata të ndryshme të diasporës dhe të gjitha këto dije dhe eksperienca dëshiroj t’i vendos në funksion të vendit tim, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat.

Në datën 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur Kryeministër, votojmë për Kryetar Bashkie! Votojmë për të nesërmen e Himarës!

E nesërmja në Bashkinë Himarë nuk do të ketë përjashtime, nuk do të ketë fëmijë të nënës dhe njerkës, banorë të përhershëm dhe të përkohshëm, socialistë dhe demokratë, tanët dhe të atyre.
Nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë pasiguri për pasurinë e çdo qytetari, nuk do të ketë Kryebashkiak të emëruar që zbaton verbërisht urdhrat e të gjithë atyre që duan të uzurpojnë pronat tona, ngado qofshin ata.
Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës!

E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar.

E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës.
Me këto fjalë kërkoj mbështetjen dhe votën tuaj!

Petro Gjikuria
Kandidat për Kryetar i Bashkisë Himarë

ME TE LEXUARAT