“Partizani”/ Shtyhet për nesër seanca në Apel për Berishën dhe Malltezin
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë për ditën e nesërme në orën 11:00 seancën për ankimin për masat e sigurimit dhe akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Në një prononcim për mediat, avokati mbrojtës i ish-Kryeministrit Berisha, Genc Gjokutaj është shprehur se të gjitha kërkesat që janë bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë, janë rikërkuar në Apel.
“Seanca u shty për nesër në orën 11:00 për marrjen e vendimit. Të gjitha kërkesat që kemi bërë në Shkallë të Parë, i kemi rikërkuar në Apel, ato pretendime që kemi për t’i konstatuar dhe për ta vendosur këtë proces në shinat ligjore”, u shpreh Gjokutaj.
Pyetjes se pse ish-kryeministri Berisha nuk është paraqitur para oficerëve të policisë gjyqësore, Gjokutaj i është përgjigjur se vendimi për masën ndaj tij, është antikushtetues.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Berisha nuk paraqitet karshi një vendimi antikushtetues. Ai është një vendim nominal i Berishës i informuar nga ne nga anti-kushtetushmërisë”, tha Gjokutaj.
“Avokatët mbrojtës të ish-Kryeministrit Sali Berisha por edhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, kanë parashtruar përballë gjyqtares Ilirjana Olldashi argumentet e tyre se pse masat e sigurisë, detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit në ngarkim të ish-kryeministrit dhe ajo e “arrestit me burg” të Malltezit duhet të shuhet. Konkretisht avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha i thanë gjyqtares së Apelit se masa e nxjerrë për ish- kryeminstrin ishte anti-kushtetuese për sa kohë që nuk ishte marrë më herët një leje në Kuvend.
Nga ana tjetër, ata pretenduan se edhe gjatë vlerësimit të masës së sigurisë ka patur shkelje të tilla të cilat lidhen më mosnjoftimin e Sali Berishës për masën e sigurisë por edhe seancat të cilat u zhvilluan apo edhe zbardhjen me vonesë të vendimit. Argumentat të cilat u ngritën nga avokatët e Jamarbër Malltëzit lidhen me zbardhjen me vonesë të vendimit të Shkallës së Parë si dhe mungesën e veprave penale në gjithë subjektin e ngritur nga ana e SPAK, ne lidhje me hetimet që u kryen për dosjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”. Për të cilën, SPAK gjatë ditës së sotme i kërkoi gjyqtares së Apelit vijimin e masave të sigurisë të cilat u dhanë nga Shkalla e Parë për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.”