Paraprijne largimin/ Berisha e Meta përgatisin bojkotin e zgjedhjeve nëse u ndalohet me ligj kandidimi

Politikë

Paraprijne largimin/ Berisha e Meta përgatisin bojkotin e zgjedhjeve

Sali Berisha dhe Ilir Meta në harkun kohor të 24 orëve folën që të dy bashkë për koalicion. I pari shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Partinë e Lirisë, i dyti e pranoi ftesën publike dhe i vlerësoi ‘primaret’.

Madje në këtë pjesë, Ilir Meta shkoi përtej duke propozuar që ‘primaret’ t’i zhvillonin për kandidatë të përbashkët të koalicionit dhe jo të dy partive të ndara, PD e PL.

Por, kjo është fasada, pra ajo që duhet thënë e duhet të dëgjojnë shqiptarët. E vërteta është që të dy ata po lëvizin drejt bojkotit dhe siç kanë paralajmëruar protestave.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Që të dy kanë fajësuar Lulzim Bashën për bojkotin e reformës territoriale, bojkotin e gjashtë ligjeve të reformës në drejtësi, bojkotin e djegien e mandateve në parlament e për bojkotin e zgjedhjeve lokale të 2019-s.

Duke kritikuar Bashën që të dy kanë deklaruar në më shumë se një rast se bojkoti nuk do të përsëritet kurrë më dhe se opozita, që ata e cilësojnë të vërtetë do të përballet kudo e me çdo mënyrë demokratike me atë që e quajnë ‘regjimi i Edi Ramës’.

Por, mënyra e përballjes mund të mos jetë edhe aq demokratike dhe dyshja Berisha-Meta t’i rikthehet bojkotit të Lulzim Bashës. Arsyeja që do të përdorin është ndalimi i kandidimit për t’u zgjedhur, që socialistët pritet të miratojnë në Kuvend duke nisur nga shtatori.

PS ka gati draftin që i përjashton ata personalisht nga kandidimi përmes ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit, ku Meta synohet të lihet jashtë si ‘bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit’ dhe Berisha si i shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Nëse socialistët miratojnë këtë nismë, Berisha e Meta pritet që të ashpërsojnë qëndrimet ndaj qeverisë. Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm do të vihej në pikëpyetje.

Megjithatë, duke pasur parasysh që betejën e tyre Berisha e Meta e kanë me pushtetin qendror, nuk përjashtohet mundësia që në këto zgjedhje ata të marrin pjesë, në përpjekje për t’u faktorizuar dhe siguruar pjesëmarrjen personale në zgjedhjet parlamentare.

Këto zgjedhje janë në 2025-n, nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Koha prej 3 vitesh në dispozicion i jep mundësi dyshes opozitare që të përgatisë strategjinë dhe manipulojë publikun për arsyet e vërteta të bojkotit të zgjedhjeve...dhe manipulimi ka nisur që tani./voxnews

ME TE LEXUARAT