Ish-ministri i Ramës sulmon SPAK-un: Standard i ulët i ndjekjes penale

Politikë

Ish-ministri i Ramës sulmon SPAK-un: Standard i ulët i ndjekjes penale

Ish-ministri i drejtësisë në qeverinë Rama 1, Ylli Manjani, në një reagim të tij në rrjetet sociale ka hedhur akuza ndaj SPAK-ut, duke theksuar se ka një standard të ulët hetimi penal dhe duhet t'i kufizohen kompetencat.

Institucioni që ka prangosur dhjetëra zyrtarë dhe ministra, që ka hetuar aferën e inceneratorëve, sterilizimit, "check up"-it, afera të tjera korrupsioni qeveritar me PPP-të e koncesione, duhet t'i kufizohen kompetencat, sipas Manjanit, avokatit të krimit dhe korrupsionit që është në konflikt të pastër interesi, pasi ai është përballë SPAK-ut për disa klientë të tij.

Prapë mendoj se te sistemi është problemi.

***

Përtej debatit se sa të ndershëm e të paanshëm janë prokurorët e SPAK-ut, ka vend për debat dhe ndryshim sistemi.

Insistoj për këtë. Standardi i ndjekjes penale që imponon sot SPAK-u është më i ulëti. Pyetja është ky standard imponohet nga personat apo nga sistemi?

Janë tri ndërhyrje të domosdoshme që duhen bërë në sistem:

1. Duhet kufizuar judidiksioni dhe kompentenca e SPAK-ut. Kjo prokurori u krijua për korrupsionin në nivel të lartë dhe jo për çdo nivel. Gjithashtu u krijua për të luftuar krimin e organizuar në vend dhe jo çdo krim.

Zgjerimi i juridiksionit dhe kompetencës sjell mbingarkesë, për pasojë cilësi të ulët hetimore. Ky debat u injorua përgjatë miratimit të reformës.

2. Procedura penale është bërë si kullesë makaronash. Ndërhyrjet e shpeshta në të kanë krijuar gropa, pëmbysje të logjikës, kronologjisë dhe ulje të standardit në ndjekje penale.

Duhet një procedurë e re, e shkruar mirë dhe me logjikë harmonike.

Procedura është garancia, jo personat.

3. Prokurori i SPAK-ut nuk mund të punojë nën presionin e mandatit.

Nuk mund të ketë prokuror të lirë, të pavarur e profesionalisht korrekt nëse duhet të performojë brenda një mandati. Mandatet kanë kuptim për të zgjedhurit dhe për drejtuesit e institucioneve, jo për profesionistët.

Mandati që i vihet një profesionisti është presion. Nga presioni prokurori ose do punojë shkel e shko për të bërë diçka brenda mandatit dhe për të kapur një punë tjetër në vijim, ose do t'ia varë fare derisa të shterrojë afatin, sepse një punë e ka të garantuar gjithsesi.

Në të dyja rastet cilësia hetimore bie. Siç edhe ka ndodhur...

Kjo cilësi e rënë bie direkt mbi standardin e ndjekjes penale, që i intereson publikut.

Pastaj krimi nuk ka mandat. Pse duhet të ketë prokurori që heton krimin?!

Imagjinoni, prokurori lë në mes hetimin se i mbaron mandati. Ç'logjikë është kjo?!

Ndaj them se prokurori i SPAK-ut s'duhet të ketë mandat kohor në detyrë. Ai duhet të shërbejë përjetësisht aty dhe është përgjegjës për cilësinë e hetimeve.

Drejtuesi i prokurorisë po, mund të ketë afat. Drejtimi i institucionit ndryshon, puna profesionale jo.

Dhe më në fund, e kam pasur dhe e kam bindje këtë:

Nuk mund të ketë gjykata të posaçme. Ka hetime të posaçme, ka edhe prokurorë të posaçëm, por gjykata është e përgjithshme, e zakonshme e normale.

Para gjykatës janë të gjithë të barabartë. Por para gjykatave të posaçme barazia e palëve është "e posaçme", d.m.th. nuk është fare.

 

ME TE LEXUARAT