FOTO, Fredi Beleri del nga burgu dhe niset për tu betuar në Strasburg

Politikë

FOTO, Fredi Beleri del nga burgu dhe niset për tu betuar në Strasburg

Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e sotëm ambientet e burgut të Fierit, pasi do të betohet nesër si eurodeputet i Parlamentit Europian në Francë.

Siç shihet nga pamjet, Beleri ka dalë nga porta kryesore e burgut të Fierit, atje ku po vuan 2 vite burg nën akuzën e blerjes së votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Ai është pritur në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë dhe makina e ambasadës greke.

Për median greke ai ka pohuar se ishte shumë i lumtur, ndërsa i shprehu falënderime atyre për mbështetjen e dhënë në kaq muaj, duke raportuar lajme për të. “Jam i lumtur e ju falënderoj për mbështetjen që me keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do t’i them në Athinë. Për median shqiptare, do të flas në aeroport.”, tha Beleri.

Kujtojmë se Drejtori i Burgjeve ditën e djeshme miratoi kërkesën 5-ditore për Belerin, në mënyrë që ai të kryejë betimin si deputet i PE. Sipas njoftimi, leja e Belerit do të nisë të sot, kur ai do të udhëtojë drejt Francës dhe do t’i përfundojë më 20 korrik, kur do të duhet të vijojë dënimin në burgun e Fierit.

Drejtoria e Burgjeve, ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje, akomodimin dhe rregullimin e hotelit. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Që nga çasti i prangosjes e në vijimësi, Beleri ka kundërshtuar akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë një proces politik dhe ka apeluar vendimin.

Por edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ta lërë në qeli. Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”./bw

ME TE LEXUARAT