Dosja në SPAK: Kush është postierja e parave të pista të Ilir Metës, udhëtime të pajustifikuara drejt Londrës

Politikë

Dosja në SPAK: Kush është postierja e parave të pista

Në një nga kallëzimet penale të referuara në SPAK për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, kërkohet që të verifikohen udhëtimet e shpeshta drejt Anglisë të Elona Gurit, ish-kandidate për deputete e LSI-së.

Në kallëzim, për të cilin SPAK ka regjistruar një procedim penal, Elona Guri përshkruhet si pjesë e njerëzve të besuar të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të përfshirë në skemat e pastrimit të parave të korrupsionit, si dhe të lëvizjes së parave drejt Anglisë dhe shoqërive offshore.

Sipas materialit, Elona Guri nuk i justifikon me burime të ardhurash udhëtimet e shpeshta në Angli, ku pretendohet në kallëzim se ka dërguar para për të mbuluar shpenzimet për shkollim të fëmijëve të Metës. SPAK ka nisur hetime për këtë pretendim dhe shuma akuza të tjera ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi, shoqëruar edhe me dokumente.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

“Nga ana tjetër, rezulton se sipas informacioneve të marra disa individë të caktuar pranë Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët edhe gjatë karrierës së tyre kanë pozicione kontradiktore, kanë pastruar paratë të cilat i janë dhënë cash nga çifti Meta- Kryemadhi dhe janë futur në llogaritë e tyre bankare për të kryer transferta drejt shoqërive offshore ose shoqërive të tjera në interes të LSI...

Elona Guri është po aq e rëndësishme në skemat e pastrimit të parave të familjes Meta  -Kryemadhi. Ajo rezulton të jetë pjesë e skemave të financimit të kompanive lobuese në SHBA dhe offshore. Elona Guri ka mbuluar shpenzimet e fëmijëve të Ilir Metës gjatë shkollimit në Mbretërinë e Bashkuar, duke udhëtuar çdo javë drejt Anglisë pa pasur burime të justifikuara mbi shpenzimet e bëra.

Mjafton të verifikohen udhëtimet e Elona Gurit jashtë Shqipërisë dhe qartazi del në pah fakti se ka pamundësi për t’i mbuluar ato shpenzime. Gjithashtu mister mbetet fakti përse ky person e ka nisur karrierën si babysitter e fëmijëve të familjes Meta, më pas asistente e Ilir Metës, donatore e LSI, financuese e skemave të Ilir Metës, postiere e parave të Ilir Metes drejt Anglisë dhe së fundmi kandidate për deputete në qarkun Durrës”, thuhet në materialin kallëzues. 

Thelbi i çështjes penale të Metës është se janë konfirmuar me dokumente shpenzime me vlerë rreth 1.2 milionë USD për lobim në SHBA, para këto të padeklaruara dhe të pajustifikuara. Kjo është një provë që vështirë që të dalë një prokuror që ta anashkalojë apo që të gjejë një alibi për të mos e çuar dosjen në Gjykatën Speciale. 

Deri më tani, mësohet se SPAK ka regjistruar të pakën tre procedime penale pas disa kallëzimeve ndaj Ilir Metës, dy nga të cilët janë bërë nga ish deputeti Halit Valteri. Ndoshta kjo mund të jetë një nga arsyet që Ilir Meta ka humbur qetësinë dhe po përdor një gjuhë të paprecedentë nëpër konferenca shtypi. 

“Jam krenar që kam lindur 1 mijë metra mbi nivelin e detit, kam ardhur 1 vjeç në Tiranë, te çerdhja te Pazari i ri, por përveçse që jam shumë i lumtur që kam lindur në Skrapar, jam i lumtur që jam dhe çun i Pazarit të ri, ku mësohej si të mos rrihesh me të gjithë çunat e lagjes.

Unë i bie më të fortit e i këpus në mes, e Eroni Kolonjës t’i duket gjigant. Unë i bijë vetë, nuk e bëjë me porosi, me kënaqësinë më të madhe dhe në emër të popullit të Shqipërisë, sakrificave. Bastard, që kujton se mund ta kthejë Shqipërinë në laboratorë kavjesh”, tha Meta ditën e djeshme.

Grupi i Metës, në skenë Vasili për kontratat e lobimit 

Në dosjen e dytë penale që ish deputeti Halit Valteri ka referuar në SPAK, flitet për krijimin e një grupi me politikanë dhe biznesmenë nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në funksion të zbatimit të një skeme korrupsioni, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas kallëzimit penal, grupi kryesohet nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, ndërsa pjesë e tij janë Petrit Vasili, Edmond Panariti, Elona Guri, Muharrem Berisha, Iris Zajmi, Elena Gace, Jori Prifti dhe Agron Xhafa.

Në kallëzimin penal thuhet se deputeti Petrit Vasili, si përfaqësues i LSI-së, ka firmosur një nga kontratat e lobimit me kompaninë Global Security and Innovative Strategies, në 3 shkurt 2016, ku janë paguar 123 mijë USD, për t’i mundësuar takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.

Ky shpenzim nuk është deklaruar as nga LSI-ja në KQZ dhe as nga Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili në ILDKPKI. Sipas kallëzuesit jemi para veprave penale të pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë, korrupsionit dhe falsifikimit.

Bashkangjitur kallëzimit penal janë kontrata e lobimit, raporti financiar i LSI në vitin 2016 si dhe deklaratat e pasurisë së Metës, Kryemadhit dhe Vasilit për vitin 2016. Ballafaqimi i këtyre dokumenteve komprometon rëndë pikësëpari Petrit Vasilin, i cili rrezikon që të merret i pandehur nga SPAK.

Godina e LSI-së 

Në dosje ngrihen dyshime të forta sa i takon pronësisë së godinës së LSI-së në ish-Bllok, pasuri për të cilën në kallëzim thuhet se Ilir Meta e ka fshehur në emrin e një biznesmeni të besuar, si Muharrem Berisha.

Muharrem Berisha konsiderohet në kallëzim si pronar fiktiv i godinës së LSI-në si dhe aksioner në një kompani që prodhon mermer në Berat, për të cilën flitet se pronar i vërtet është Ilir Meta. Në kallëzim referohet si fakt që, Muharrem Berisha, i cili paraqitet në letra si biznesmen i fuqishëm, është punësuar pranë Ministrisë së Mjedisit si Inspektor Pyjesh, duke ngritur dyshime se Muharrem Berisha mund të jetë një nga maskat e Metës për të mbuluar pasuritë.

Drini Kryemadhi 

Report Tv sjell publikoi disa ditë më parë fakte që ngrenë dyshime serioze për një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, duke përfshirë vëllanë e Monikës, Drini Kryemadhi, mamanë e tij Fatime Kryemadhi, vjehrrin e Drinit (Nuri Peti), kompaninë e ndërtimit Tirana DKK me nipt: J61902088N si dhe kompaninë e kolaudimit të makinave SGS, e favorizuar nga Meta kur ishte në pushtet.

Drini Kryemadhi dhe nëna e tij Fatime Kryemadhi për të cilën thuhet se ka shitur qepë në Qytetin Studenti, kanë financuar LSI-në dhe Monika Kryemadhin. Të shesësh qepë është një punë e nderuar, por nuk bën dot miliona! Nga ana tjetër, Drini Kryemadhi është paguar nga kompania koncesionare e kolaudimit të automjeteve SGS, një koncesion abuziv i monitoruar nga Ilir Meta përmes Edmond Haxhinastos, duke mos marrë masa për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore nga kompania.

Shuma të mëdha parash të dyshimta kanë qarkulluar mes anëtarëve të familjes Kryemadhi, duke përfshirë SGS që paguhej me paratë e shqiptarëve.

Në skenë shfaqet edhe kompania ndërtimit Tirana DKK, e cila kalon herë në emrin e Drini Kryemadhit, herë në emrin e vjehrrit të tij Nuri Peti, i cili dyshohet për një raport interesash financiare me SGS./Shqiptarja.com

ME TE LEXUARAT