Apeli i GJKKO la në fuqi masën e sigurisë për Berishën, Gjokutaj: Do të shkojmë në Gjykatën e Lartë

Politikë

Apeli i GJKKO la në fuqi masën e sigurisë për Berishën,

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga qelia Jamarbër Malltezin. Apeli i GJKKO-së vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Ndërsa për ish-kryeministrin Sali Berisha, Apeli i GJKKO vendosi të mbajë në fuqi vendimin ‘detyrim paraqitje’.

Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj në një dalje për mediat tha se vendimin e GJKKO ndaj Berishës për masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim të daljes jashtë vendit’ do ta çojë edhe në Gjykatë e Lartë.  

“Berisha nuk ka rrezik që të ikë. 2 herë në javë është në parlament ndërsa prokuroria e kërkon 1 në 2 javë. Ajo masë rrjedh nga një arsyetim anti-kushtetues. Të enjten kemi seancën e rradhës për humbjen e fuqisë. Do shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore, do jetë një betejë e gjatë. Do të shkojmë në gjykatën e Lartë”- u shpreh Gjokutaj mes të tjerash.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B.

Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë:

Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë.

 

ME TE LEXUARAT