Vucic e quan fitore të vogël marrëveshjen me Kosovën në Bruksel

Kosovë&Rajon

Vucic e quan fitore të vogël marrëveshjen me Kosovën në

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Një ditë më parë, më 23 nëntor, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në konferencën për media, Vuçiq tha të enjten se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar.

Ai konfirmoi se nuk do të ketë targa të reja KM, të cilat, sipas tij, ishin rreth 90 sosh në vit.

Vuçiq po ashtu tha se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Në këtë mënyrë është përgjigjur Vuçiq, i pyetur për qëndrimin në lidhje me zgjedhjet lokale në veri të Kosovës të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, pas largimit të serbëve nga veriu i Kosovës nga institucionet e Kosovës.

Më 5 dhjetor, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të riregjistruar targat serbe në RKS (Republika e Kosovës) dhe suspendimit të komandantit të policisë rajonale për veriun e Kosovës, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte atë vendim.

Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.

Presidenti i Serbisë shtoi se është e rëndësishme që në Bruksel është theksuar domosdoshmëria e përmbushjes së marrëveshjeve të mëparshme.

Vuçiq përsëriti se Serbia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe se zyrtarët serbë nuk duan të diskutojnë për këtë.

“Ne nuk e duam Kosovën në OKB dhe çfarë do të bëni atëherë, na bombardoni, na kërcënoni me sanksione”, tha ai.

Ai shtoi se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën./REL

ME TE LEXUARAT