"Të vrava familjen"/ Si ndodhi masakra me 10 viktima në Malin e Zi, telefonata e autorit pas ekzekutimeve të para

Kosovë&Rajon

"Të vrava familjen"/ Si ndodhi masakra me 10 viktima në

10 viktima dhe 6 të plagosur ishte bilanci i masakrës së regjistruar pasditen e të premtes në Cetinje të Malit të Zi. Dyshohet se shkaku i konfliktit ka qenë qiraja e një banese.

Autori 34-vjeçar, Vuko Boriloviç hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe vrau një fëmijë 11 vjeç. Pas tij vrau edhe vëllain tre vjet më të vogël dhe plagosi nënën e tyre, të identifikuar si Natasha Pajoviç.

Pas ngjarjes, Boriloviç telefonoi bashkëshortin e Natashës, Millosh Martinoviç për t’i rrëfyer krimin duke i thënë: “Unë kam vrarë familjen tënde dhe timen”.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Por, nuk përfundoi me kaq. Pasi përfundoi telefonatën me Martinoviç, me armë gjahu në dorë, hyri në shtëpinë e fqinjëve të tjerë duke vrarë të moshuarit.

Danijela dhe Dimitrije Dreçun dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Dreçun. Më pas vrau dhe djalin e tyre Rajko Dreçun, i cili vrapoi menjëherë drejt shtëpisë kur dëgjoi të shtënat.

34-vjeçari vrau edhe fqinjin Milan Mitroviç dhe dajën e tij Goran Gjurishiç dhe më pas, duke zbritur në rrugë, nuk ndali të shtënat dhe qëlloi për vdekje fqinjët Aleksandra dhe Danijela Radunoviç.

Përveç nënës që ishte qiramarrëse në shtëpinë e tij, plagosi edhe katër persona të tjerë dhe policin Ljubisha Maksimoviq , i cili po përpiqej ta nënshtronte.

Ndonëse ishte i rrethuar nga policia, autori nuk pranonte të dorëzohej. Sipas mediave malazeze, ndërhyri një prej fqinjëve dhe e qëlloi për vdekje.

Trupi i 34-vjeçarit është dërguar për autopsi ndërsa nuk dihet ende përse kreu masakrën pasditen e së premtes.

Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie pas kësaj tragjedie.

Në përputhje me Vendimin e Qeverisë, ditët e zisë janë e shtune, e diela dhe e hëna, përkatësisht datat 13, 14 dhe 15 gusht 2022.

Me rastin e zisë treditore, Qeveria njoftoi se flamujt do të vendosen në gjysmështizë në të gjitha objektet e organeve shtetërore dhe objektet e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe publike.

Në përputhje me vendimin, në ditën e zisë nuk do të mbahen programe kulturore dhe argëtuese në vende publike dhe nuk do të transmetohet muzika në objektet hotelierike. 

Mediat elektronike dhe mediat e tjera janë të detyruara që përmbajtjen e tyre programore t’i përshtatin përkujtimit të ditës së zisë.

“Me rastin e një ngjarje tragjike të paregjistruar, e cila ka rezultuar me humbjen e jetës së qytetarëve malazezë, Qeveria ka marrë vendim për shpalljen e tri ditëve zie në territorin e gjithë shtetit të Malit të Zi”, thuhet në vendim.

ME TE LEXUARAT