Protesta në të gjithë vendin, Vuçiç nuk ndalet, mban miting
Në qendër të Beogradit, të premten mbahet tubimi i organizuar nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, në kohën kur, me ftesën e opozitës, dhjetëra mijëra njerëz po protestojnë ditëve të fundit, të pakënaqur me reagimin e qeverisë ndaj vrasjeve masive që tronditën vendin.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë (REL), më pak se një orë para fillimit të tubimit, platoja para Kuvendit Popullor ishte mbushur plotësisht me njerëz.
Gjatë ditës në Beograd kanë arritur qindra autobusë nga qytetet e Serbisë, por edhe nga vendet përreth, me të cilët kanë arritur mbështetësit e SNS-së.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Në tubim, ndër të tjerë, foli ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, partnere e koalicionit të SNS-së, Ivica Daçiq.
Ai akuzoi një pjesë të opozitës, e cila organizon protesta kundër dhunës, se duan të vijnë në pushtet në këtë mënyrë. Ai shtoi se tubimi i sotëm nuk është një tubim politik, por një mesazh i “Serbisë së edukuar dhe të denjë”.
“Dua t’u them të gjithë atyre që u ngritën mbi vendin tonë: ne nuk e japim Serbinë, nuk e japim Kosovën, nuk i japim fëmijët tanë, nuk lejojmë dhunë ndaj grave, nuk do të heqim dorë nga presidenti, të cilin e kemi zgjedhur të gjithë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Daçiq.
Presidenti i Republikës Sërpska, që është njëra nga entitetet e Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik tha nga skena se ka ardhur për të mbështetur Serbinë dhe në fund të fjalës së tij tha: “Rroftë Serbia, rroftë Rusia, rroftë Republika Sërpska”.
SNS-ja e quajti tubimin “Serbia e shpresës”, ndërsa thirrjen për të marrë pjesë në të e bëri presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të tij.
Organizatat e shoqërisë civile dhe opozita kritikuan mbajtjen e tubimit dhe kërkuan anulimin e tij.
Partitë opozitare në Serbi akuzuan partinë e Vuçiqit se po bën presion dhe kërcënime ndaj punonjësve të institucioneve shtetërore për të marrë pjesë në tubim. Pushteti hodhi poshtë pretendime të tilla.
Një grup i organizatave të shoqërisë civile i bëri thirrje presidentit të Serbisë, më 23 maj, që të anulojë tubimin, në interes të qetësimit të tensioneve dhe parandalimit të ndarjeve dhe polarizimit të mëtejshëm në shoqëri.
Tubimi po mbahet në të njëjtin muaj kur 18 persona u vranë në dy vrasje masive në Serbi. Të dyshuarit janë arrestuar dhe kanë pranuar krimet.
Si kundërpërgjigje, qeveria rriti sigurinë e shkollave dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i dorëzojnë armët e tyre në polici, pa pasoja. Ministri i Arsimit dha dorëheqjen.
Në protesta, opozita parashtroi kërkesa, ndër të tjera, për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiq dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin.
Më herët, Vuçiq i cilësoi ato protesta si politizimin të tragjedisë./REL