Në Bosnje protestohet në mbështetje të Dodikut

Kosovë&Rajon

Në Bosnje protestohet në mbështetje të Dodikut

Protestuesit kundërshtuan aktakuzën e ngritur më 11 gusht nga Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovincës ndaj Dodikut dhe Lukiqit për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
SARAJEVË- Me bllokimin e katër rrugëve kryesore në veri dhe jug të Bosnje e Hercegovinës, u protestua në mbështetje të presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare në këtë entitet, Millosh Lukiç.

Protestuesit kundërshtuan aktakuzën e ngritur më 11 gusht nga Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovincës ndaj Dodikut dhe Lukiqit për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt

Protesta kishte moton “kufiri ekziston” edhe pse nuk ka kufij real midis dy entiteteve të Bosnje e Hercegovinës, të cilat quhen “vija demarkimi në mes entiteteve” në Kushtetutën e shtetit dhe Marrëveshjen e Paqes të arritur në Dejton më 1995.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Në protesta morën pjesë rreth 2.000 persona që bllokuan rrugët kryesore që çojnë drejt Federatës së Bosnjë e Hercegovinës. Përveç fotografive të Dodikut, në protesta u panë edhe fotografitë me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërkaq, janë dëgjuar edhe thirrje të protestuesve për Ratko Mlladiqin, të dënuar për gjenocid dhe krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Lidhur me protestat e 1 shtatorit në mbështetje të Dodikut – që gjendet në listën e zezë amerikane – ka pasur reagime nga zyrtarët ndërkombëtarë.

Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt, i ka cilësuar protestat si manipulim të qytetarëve.

“Është e papërgjegjshme të organizohen ngjarje politike që nxisin përçarje në vijën ndarëse midis entiteteve”, tha Schmidt.

Nga Zyra e Schmidit po ashtu kanë thënë se kjo “vijë midis entiteteve” nuk është “një kufi” midis Republikës Sërpska dhe Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, por është vetëm një vijë administrative.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR, tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga autoritetet e Bosnjës” për protestën dhe nuk “kemi vendosur asnjë personel shtesë”.

Asambleja e Republikës Sërpska më herët gjatë vitit ka miratuar një sërë ligjesh, të cilësuara si legjislacione kundër Marrëveshjes së Dejtonit, përfshirë edhe ligjin për mospublikimin e vendimeve të Schmidit, dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat është thënë se nuk do të zbatohen në këtë entitet.

Më 1 korrik, Schmidt i anuloi ligjet anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës. Schmidt gjithashtu mori një vendim për ndryshimin e Kodit Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale.

ME TE LEXUARAT