Shkup/ Gjykata Kushtetuese shfuqizon mekanizmin që u garantonte shqiptarëve përfaqësim në administratë
Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut shfuqizoi këtë të mërkurë (9 tetor) “Balancuesin”, i cili ishte mekanizm që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucionet shtetërore.
Ky vendim prek edhe punësimet në administratën publike.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi pas seancës se pretendimet se janë shfuqizuar të drejtat e etnive janë “gënjeshtra dhe manipulime”.
“Gënjeshtër dhe manipulim është konstatimi se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka shfuqizuar të drejtat e cilësdo etni, kjo nuk është e vërtetë… Siç ishte manipulimi se Gjykata me veprimin e saj për këtë apo cilëndo lëndë tjetër, mund t’i prishë marrëdhëniet politike, etnike, ose të jetë shkas për destabilizim”, theksoi Kostadinovski para gazetarëve.
Ai tha se vendimet e Gjykatës duhet të respektohen nga të gjithë, përfshirë edhe politikanët.
Por Fronti Europian reagoi ashpër duke thënë se shfuqizimi i balancuesit, është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe në këtë pikë, është e kotë të flitet për propozim të ri ligjor për përfaqësim të drejtë dhe adekuat kur nuk ka asgjë konkrete. Që nga ardhja në pushtet e VMRO-së (Organizata Revolucionare e Maqedonisë së Veriut) në fund të qershorit, në Maqedoninë e Veriut janë larguar nga puna mbi 800 shqiptarë.